Prokurori Kombëtar i Antimafias në Itali, Federico Cafiero de Raho ka bërë deklaratën e fortë se mafiozët shqiptarë kanë krijuar lidhje me eksponentë të politikës dhe interesat e tyre po administrohen nga zyrtarë të nivelit të lartë.
De Raho i ka krahasuar mafiozët shqiptarë me “Ndraghetën” italiane.
“Kriminaliteti shqiptar është një kriminalitet, që i referohet modelit mafioz italian. Ushtron një kontroll të territorit, kryen aktivitet kriminal, në radhë të parë trafik droge. Nëse më parë ishte përfshirë në administrimin e trafikut të marijuanës, sot merret edhe me kokainë, bashkë me ‘Ndraghetan’. Kriminaliteti shqiptar ka hyrë në një rreth kriminaliteti të lartë, pra, një rreth që arrin që paratë t’i investojë jo vetëm në Shqipëri, por edhe jashtë saj.
Arrin të infiltrohet në ekonomi dhe të krijojë lidhje me çfarëdo eksponenti të politikës, atje ku si në Itali, lëviz duke u ballafaquar me subjekte, që në dukje janë profesionistë, pra, njerëz ndonjëherë edhe të institucioneve, të cilët janë të lidhur me subjekte të nivelit të lartë dhe arrijnë të administrojnë interesat e krimit të organizuar, nëpërmjet kanaleve të infiltrimit, gjithmonë e me të thella”, tha Raho.
Prokurori Kombëtar i Drejtorisë Antimafia dhe Antiterrorizmit në Itali, Federico Cafiero de Raho, ishte i pranishëm dje në konferencën për “Administrimin dhe menaxhimin e pasurive të sekuestruara”, në kuadër të së cilës u prit nga ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj.
