Maldini Kaçurri ka hyrë në historinë e futbollit shqiptar dhe të Arsenalit duke u bërë lojtari i parë kuqezi që luan për ekipin e famshëm londinez. Karriera e tij ka nisur në akademinë e Fulhamit, përpara se të transferohej te Arsenali në vitin 2022. Qendërmbrojtësi 19-vjeçar ka bërë një paraqitje të jashtëzakonshme me ekipin U-21, ku deri më tani ka luajtur 41 ndeshje.
Ditët e fundit, Maldini Kaçurri debutoi për ekipin e parë të Arsenalit në ndeshjen e Carabao Cup. Por lajmi që tërhoqi më shumë vëmendje ishte urimi i veçantë nga vetë legjenda Paolo Maldini, i cili komentoi në Instagramin e tij: “Urime, Maldini”. Një moment ky që e ngre më tej profilin e djaloshit shqiptar me emrin e një prej mbrojtësve më të mëdhenj në historinë e futbollit botëror.
Në ndeshjen e tij të fundit me ekipin e të rinjve të Arsenalit, Kaçurri kontribuoi në fitoren 4-1 ndaj Atalantës në Ligën e të Rinjve të UEFA-s. I njohur për aftësitë e tij në lojën ajrore dhe fortësinë në mbrojtje, Kaçurri pritet të ketë një të ardhme premtuese në futbollin europian.
Për më tepër, ai ka bërë edhe disa paraqitje ndërkombëtare për Shqipërinë, me 5 ndeshje për ekipin U-19 dhe 2 për U-17.

