Kevin De Bryjne ishte padyshim mesfushori më i mirë i sezonit të shkuar dhe një prej më të mirëve të viteve të fundit, teksa ka shkëlqyer nën drejtimin e Guardiolës te Mançester Siti, duke arritur maksimumin e formës së tij. Klubi anglez e di shumë mirë se çfarë ka në dorë dhe kurrsesi nuk do donte të rrezikonte ikjen e “xhevahirit” belg.
Kështu, nga Anglia raportojnë se për De Bryjne drejtuesit kanë bërë gati një propozim faraonik për ta bindur të rinovojë kontratën, që përfundon në verën e vitit 2023. Kontrata e re parashikon shtyrjen e bashkëpunimit deri në verën e vitit 2025, me lojtarin, që do të marrë 300 mijë paundë në javë, duke u bërë një nga më të paguarit në Premier Ligë.
Klubi anglez e vlerëson shumë 29-vjeçarin për atë që ka dhënë në klub ndër vite dhe për gjithë talentin që ai zotëron. Mbetet të shihet nëse belgu do e pranojë kontratën e re të ofruar nga sheikët e Mançester Sitit. Këta të fundit duan ta transferojnë mesfushorin edhe në SHBA në vitet e fundit të karrierës, ku zotërojnë klubin e New York City.
