Gazetari Ylli Rakipi ka folur për marrëdhënien e tij me Kryeministrin Rama, ndërsa edhe më parë ka deklaruar se Rama ka tentuar t’i mbyllë atij emisionin.
I ftuar në emisionin “A Show”, në “News24”, Rakipi tha se Rama përdor strategjitë e veta për t’u përballur me mediat, ndërsa shtoi se, sipas tij kryeminsitri zotëron pjesën dërrmuese të tyre.
“Edi Rama ka blerë mediat dhe gazetarë të rëndësishëm të vendit. Në një intervistë që e pata në studio nisi edhe përplasja ime me të. Nuk bëra gjë tjetër mblodha vetëm premtimet e bëra nga Rama në mandatin që shkoi. I kërkova edhe program për tani këtë katërvjeçar, por që sigurisht ai nuk kishte program, më solli një si revistë me ngjyra. Rama ndërton strategji për të mbajtur njerëzit nën kontroll, këtë donte të bënte edhe me mua”,- tha Rakipi. Në lidhje me deklaratat për mbylljen e emisionit, Rakipi tha se Rama ka përdorur të gjitha llojet e presionit.
Para disa ditësh the: Kryeministri po tenton të më mbyllë programin si?
Nga të gjitha llojet e presioneve. E deri te pronari këtu e kam parë presionin që i bëhet. Në vendin tjetër që isha unë, zëdhënësi i medias që përdor ai, Fuga, ky është njeriu që e ndërton strategjinë, mua më ngritën kurth që mos vinin njerëz nga maxhoranca. Është ajo praktika që ai i do të gjitha.
Referuar situatës në vend, ndërsa kujton vitet 97’, gazetari tha se gjërat në Shqipëri zgjidhen pas një përplasje të madhe.
“Unë kam besuar që Edi Rama do t’i bënte të mira këtij vendi. Unë do të kisha dëshiruar që unë të isha i gabuar. Me gjithë këtë media që ka Edi Rama çfarë të keqja mund t’i bëj unë, por nuk është kështu, është ndryshe. E keni vënë re që ka rënë një sistem, që nuk e ka ndërtuar vetëm Edi Rama. Saliu i pari ndërtoi një sistem jashtë sistemit. E gjithë kjo çati ka zënë brenda Edi Ramën, mudn të kishte zënë Sali Berishën se e meritonte.
Gjërat në Shqipëri zgjidhen pas një përplasje të madhe. 97’ na kujton një ndër periudhat më të errta të Shqipërisë. Përpjekja e Edi Ramës për t’u dukur sikur nuk ka ndodhur asgjë, përpjekja për të bërë opozitën e re, ku del vajza e Azem Hajdarit, ku shfaqen figura nga më të çuditshmet më qesharaket, do të thotë që Shqipëria mund të agravojë në një situatë shumë të keqe. Mund të ndodhë sepse edhe bashkësia ndërkombëtare ka një problem me veten dhe nuk ka kohë të merret me arbitra. Do të thosha që Shqipëria është shumë e rrezikuar. I ra Edi Ramës, mund t’i kishte rënë gjithkujt nga këta që kanë drejtuar vendin”, tha ai.