Liderët e Bashkimit Evropian dhe të Ballkanit Perëndimor po mblidhen sot në Tivat për Samitin BE–Ballkani Perëndimor, shkruan europeanwesternbalkans.com.
Samiti pritet të përqendrohet në ecurinë e negociatave të anëtarësimit, zbatimin e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, propozimet për integrimin gradual të vendeve kandidate dhe bashkëpunimin rajonal.
Përpara samitit, portali ”European Western Balkans” (EVB) gazetarja Sofija Popović zhvilloi një intervistë me Komisioneren Evropiane për Zgjerimin, Marta Kos, lidhur me të ardhmen e procesit të zgjerimit, idetë e reja për integrimin gradual dhe gjendjen aktuale të procesit të anëtarësimit në Ballkanin Perëndimor.
EVB: Samiti BE–Ballkani Perëndimor po mbahet në Tivat në një kohë kur po zhvillohen diskutime intensive për të ardhmen e zgjerimit. Cilat tema, sipas jush, do të jenë kyçe në bisedimet me liderët dhe cili pritet të jetë mesazhi më i rëndësishëm për qytetarët e rajonit?
Marta Kos: Që nga krijimi i qeverisë së re në Hungari, ka një dinamikë të re në procesin e zgjerimit në të gjitha nivelet. Mesazhi më i rëndësishëm që Bashkimi Evropian u dërgon vendeve të Ballkanit Perëndimor është se po ecim përpara dhe gjërat po lëvizin.
Këtë e shohim te Mali i Zi dhe Shqipëria, të cilat po kalojnë qartë në fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit. Ka shumë energji pozitive rreth asaj që po bëhet aktualisht dhe pres që kjo të reflektohet edhe gjatë samitit në Tivat.
EWB: Javët e fundit disa shtete anëtare të BE-së kanë paraqitur propozime të ndryshme për modele të reja integrimi para anëtarësimit të plotë. Si i shihni këto modele? A është i nevojshëm reformimi në këtë drejtim dhe a do të ketë diskutime zyrtare për këtë çështje në të ardhmen e afërt?
Kos: Këto propozime sjellin një dinamikë të re në debat dhe kjo është shumë e mirëpritur. Aktualisht po përdorim një metodologji të ngjashme me atë të përdorur 40 vjet më parë, kur Spanja dhe Portugalia iu bashkuan BE-së.
Ekziston nevoja të shohim se çfarë mund të bëjmë ndryshe për t’iu përgjigjur situatës gjeopolitike, e cila sot është krejtësisht ndryshe nga ajo e proceseve të mëparshme të zgjerimit.
Nuk mund të them ende cili do të jetë rezultati i këtyre diskutimeve, por integrimi gradual është një nga fushat ku mund të shkojmë më thellë.
Nga diskutimet kuptojmë se shtetet anëtare duan të ruajnë parimin e meritës, gjë që është shumë e rëndësishme. Ato theksojnë se duhet të kujdesemi veçanërisht për bazat themelore – sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, të drejtat e njeriut dhe pluralizmin mediatik – dhe unë jam plotësisht dakord me këtë.
Përmes integrimit gradual mund t’u tregojmë qytetarëve shumë më herët se si vendi i tyre po përfiton nga afrimi me BE-në, pa pritur anëtarësimin e plotë.
EWB:Në letrën që u dërguat së fundmi vendeve të rajonit, paralajmëruat për ritmin e ngadaltë të reformave dhe rrezikun e humbjes së fondeve nga Plani i Rritjes. Çfarë po e shkakton këtë ngadalësi?
Kos: Situata ndryshon nga një vend në tjetrin. Me Planin e Rritjes dhe Instrumentin për Reforma dhe Rritje kemi më shumë se dyfishuar ndihmën financiare për Ballkanin Perëndimor dhe kemi krijuar stimuj financiarë për reformat që vendet duhet të realizojnë në rrugën e tyre drejt BE-së.
Vetë vendet kanë përcaktuar objektivat dhe ambiciet e tyre, por niveli i realizimit mbetet i ulët. Letrat u dërguan për t’i informuar vendet mbi pozicionin e tyre lidhur me afatet për përmbushjen e objektivave deri në muajin qershor.
Plani i Rritjes bazohet në performancë, që do të thotë se fondet lëshohen vetëm kur rezultatet arrihen. Ai është krijuar për të ofruar mbështetje dhe nxitje, dhe ne shohim se kjo po funksionon sepse shumë reforma tashmë po zbatohen.
EWB: Çfarë do të ndodhë me fondet që vendet nuk arrijnë t’i tërheqin brenda afateve të përcaktuara?
Kos:Reformat duhet të mbeten prioritet për përfituesit, në mënyrë që ata të shfrytëzojnë maksimalisht mundësitë që ofron Plani i Rritjes. Instrumenti për Reforma dhe Rritje bazohet në performancë, ndaj fondet disbursohen vetëm pasi reformat të jenë zbatuar plotësisht. Fokusi ynë është t’i ndihmojmë vendet të kryejnë reformat në mënyrë që të marrin fondet.
EWB: Ju folët së fundmi edhe për Serbinë në kontekstin e Planit të Rritjes. Cilat janë pengesat kryesore për pagesat e mëtejshme?
Kos:Ndryshimet në ligjet e gjyqësorit duhet të jenë në përputhje me standardet e BE-së dhe rekomandimet e Komisioni i Venecias duhet të zbatohen plotësisht.
Komisioni Evropian vlerëson vazhdimisht nëse plotësohen kushtet për mbështetje financiare nga instrumentet e BE-së. Kjo është pjesë normale e procesit.
Ne vazhdojmë të mbështesim Serbinë në rrugën e saj evropiane, por presim gjithashtu që autoritetet të respektojnë mekanizmat demokratikë, sundimin e ligjit dhe të drejtat e njeriut.
EWB:Vlerësimi juaj për miratimin e ligjeve zgjedhore në Serbi ka shkaktuar reagime të shumta.
MK: Unë e quajta miratimin e ligjeve zgjedhore një “hap të parë të rëndësishëm” në mbështetje të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Nuk ishte një gjykim për efektivitetin e tyre, por një mbështetje për drejtimin pozitiv që ato tregojnë.
Ne vazhdojmë të punojmë me autoritetet serbe për miratimin e dy ligjeve të rëndësishme mbi luftën kundër korrupsionit dhe financimin e aktiviteteve politike, në përputhje me rekomandimet e ODIHR-it.
Sa i përket zgjedhjeve, funksionimi i duhur i institucioneve demokratike është thelbësor për procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE. Serbia duhet të garantojë kushte të përshtatshme për vëzhguesit qytetarë dhe të sigurojë një mjedis pa presione dhe intimidime.
EWB: Muajin e kaluar u arrit marrëveshja për krijimin e një grupi pune për hartimin e Traktatit të Anëtarësimit të Malit të Zi.
Kos: Hartimi po zhvillohet në kuadër të grupit ad hoc të Këshillit të BE-së, ku shtetet anëtare do të përcaktojnë vendin e Malit të Zi brenda Bashkimit Evropian.
Grupi është krijuar vetëm në fund të prillit, kështu që procesi është ende në fazat fillestare.
Klauzolat mbrojtëse nuk janë diçka e re dhe do të përcaktohen gjatë procesit të hartimit.
EWB: A mund të flasim më konkretisht për një datë të përfundimit të negociatave?
Kos: Procesi i zgjerimit nuk funksionon me afate fikse, pasi ka shumë faktorë që ndikojnë. Më i rëndësishmi është shpejtësia me të cilën vendet zbatojnë reformat e nevojshme.
Hartimi i traktatit është një hap shumë pozitiv, por nuk përcakton një datë përfundimtare.
Mali i Zi ka ende punë të rëndësishme për të bërë, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe sistemit gjyqësor. Përpjekjet e tij po japin rezultat dhe ky ritëm duhet të vazhdojë deri në fazën finale.
EWB: Shqipëria ka bërë gjithashtu përparim të rëndësishëm. A prisni që vendi të fillojë mbylljen e kapitujve negociues deri në fund të vitit?
MK:
Shtetet anëtare dhe Komisioni vlerësuan se Shqipëria kishte përmbushur kërkesat e ndërmjetme në fushën e sundimit të ligjit.
Kur një vend përmbush detyrimet e tij, edhe ne në BE duhet të mbajmë anën tonë të marrëveshjes dhe të veprojmë në përputhje me të. Shqipëria u bë vendi i dytë kandidat, pas Malit të Zi, që arriti këtë fazë shumë të rëndësishme të procesit të anëtarësimit.
Megjithatë, ky nuk është fundi i procesit. Përkundrazi, është fillimi i fazës më të vështirë: mbyllja e kapitujve negociues. Ne nuk punojmë me afate kohore, por me rezultate konkrete.
EWB: Rasti i Maqedonisë së Veriut tregon se mosmarrëveshjet dypalëshe vazhdojnë të pengojnë procesin.
Kos: Marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimi rajonal janë pjesë thelbësore e integrimit evropian.
Për Maqedonia e Veriut, ne jemi gati të përfundojmë fazën e hapjes së negociatave sapo të zbatohen ndryshimet kushtetuese që vendi ka marrë përsipër.
Po ashtu, është shumë e rëndësishme që Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut të rindërtojnë besimin e ndërsjellë. Ne mbetemi të gatshëm të lehtësojmë këto diskutime./ATSH
