Zyrtarizimi i dy rasteve në orët e para të mëngjesit të kësaj të hëne ka bërë që në pikat doganore të vendit tonë të intenisifikohen kontrollet e personave që hyjnë, nëse janë bartës të virusit Covid19. Edhe në doganën e Ballatës janë rritur kontrollet, ku ato bëhet njëherësh për disa persona që hyjnë nga shteti fqinj i Maqedonisë së Veriut.
Drejtori i Njësisë Vendore të Shërbimit Shëndetësor Dibër, Hasan Manja tha se tashmë puna e grupeve të mjekëve të dislokuar aty është më intensive pas shfaqjes së rasteve tashmë edhe në vendin tonë. Ai shtoi se kontrollove tani iu nënshtrohen të gjithë personat që hyjnë, ndryshe nga më parë që kontrolloheshin vetëm të huajt. Manja tha se deri tani nuk ka patur asnjë rast të dyshimtë të të prekurve me koronavirus, ndërsa janë hapur karantina në doganën e Bllatës dhe në Dibër.
Në Shqipëri u konfirmua sot hyrja e Covid-19, i njohur ndryshe edhe si koronavirusi. Babë e bir, 54 dhe 28 vjeç, janë dy të prekurit e parë, që tanimë janë izoluar në ambientet e spitalit Infektiv. Sakaq, qeveria ka marrë vendim të anullojë të gjitha udhëtimet drejt Italisë së Veriut deri më 3 prill. Gjithashtu, kryeministri Edi Rama bëri thirrje që të rinjtë të evitojnë daljet në lokale si dhe kontaktin fizik me të moshuarit. Mbyllur deri më 23 mars janë edhe shkollat, kopshtet dhe çerdhet, ndërkohë që ka nisur dezinfektimi i të gjitha spitaleve. Pjesë e planit të masave është edhe ndalimi i vizitave nëpër spitale.