28-vjeçarja e cila vrau 6 persona në një shkollë fillore të Nashville në Tenesi, kishte blerë 7 armë zjarri në mënyrë të ligjshme dhe i kishte fshehur ato në shtëpi. Prindërit e Audrey Hale e ndjenin se vajza e tyre nuk duhet të zotëronte armë edhe pse dyshonin se mund ta kishte blerë një, por që më pas e kishte shitur. E dyshuara ishte nën kujdesin e mjekëve për çrregullime emocionale.
Hale e cila identifikohej si një transgjinore dhe që ishte ish-nxënëse e shkollës, përdori 3 armë për sulmin, përfshirë një armë gjysmë automatike. Para se të ndërmerrte masakrën, 28-vjeçarja kishte vizatuar një hartë të detajuar të shkollës, e kishte shkruar një deklaratë mbi qëllimet e veta.
Pasi publikoi momentet kur agresorja e veshur me pantallona ushtarake dhe kapele bejsbolli shpërtheu derën kryesore dhe hyri me automatikun e drejtuar në godinë, policia zbuloi edhe pamjet që treguan efektivët teksa qëllonin me disa plumba autoren në katin e dytë të shkollës.
Presidenti amerikan Joe Biden i kërkoi Kongresit të miratonte një ligj të ri për kontrollin e armëve. “U detyrohemi këtyre familjeve më shumë se sa lutjet”, ishte deklarata e tij.
