Një operacion nga autoritetet italiane dhe SPAK-u, ka vënë në pranga tre persona, ndërsa 5 të tjerë janë shpallur në kërkim në Shqipëri, pasi kishin zhvatur miliona euro nga mashtrimet online përmes bursave dhe i investonin në kriptovaluta. Në pranga ra pronari i një Call Center në Tiranë dhe dy persona të tjerë.
Autoritetet italiane zbuluan nga përgjimet e rreth 42,000 telefonatave të bëra në këto qendra “Call Center” në Tiranë, se vlera e parave të përfituara nga mashtrimi i italianëve arrin në 10 milionë euro. Në bashkëpunim me SPAK në Tiranë, u realizua operacioni ”Fitimi i Ëndrrave” në rajonin Friuli Venezia Gulia dhe u sekuestruan 2 pika “Call Center” në Tiranë me mbi 60 stacione pune të pajisura me kompjuter dhe dy serverë të lidhur me të gjitha stacionet e punës. Pasi u pikas mashtrimi, nisën hetimet nga prokurori italian Raffaele Tito në koordinim me Eneid Nakuci nga SPAK.
Prokurori Eneid Nakuci ka dhënë detaje për skemën e mashtrimit të italianëve për të investuar për blerjen e aksioneve në Amazon dhe më pas në Bitcoin.
“Bisedat ishin për emergjencat e pandemisë dhe situatat e viktimave duke shfrytëzuar dhe vetminë e shkaktuar nga situata e pandemisë dhe vetëofroheshin si miq. Viktimat ishin grupmnosha të ndryshme, shtëpiakë, banues në Itali. Propozimi bëhej për blerjen e aksioneve në Amazon në vlerën 250 euro dhe fitimit brenda 1 jave. Më pas i bindin për investim në kriptovalutën në Bitcoin. Sipas tyre investimi do të rritej pas futjes së produktit të vaksinave në treg. Grupi kriminal kishte arritur të krijonte Call Center me role të ndryshme. Kishte operatorë që kontaktonin me klientët dhe ndiqnin hap pas hapi viktimat. Besnikëria e klientit ishte efikase sa viktima në pjesën më të madhe të rasteve e ka lejuar të përdorte në distancë kompjuterin personal dhe bënte trasnfertat e parave. Mashtruesit s’mjaftoheshin me kaq, kontrollonin email, fotografi dhe dokumente për të patur në dorë viktimën nëse hezitonin të bënin investime”.
