Carla e Sajmir Neziri janë tashmë dy humanistë mjaft të dashur për qytetarët matjanë. Kujdesi dhe bujaria e tyre nis prej më shumë se dy dekadave. Me një dashuri të rrallë, me një durim të jashtëzakonshëm, me punë të palodhur ndihmojnë njerëzit në nevojë. Nga mëngjesi në darkë i gjen pranë njerëzve në nevojë, jo vetëm në qytetin e Burrelit, por edhe në Klos, Suç, Zenisht, Komsi, kudo.
Kryejnë transportin e njerëzve më aftësi ndryshe, kujdesen për ushqimin, veshjen, shëndetin, aftësimin e tyre. Sot, në Ditën Ndërkombëtare të Personave me aftësi të kufizuar Carla e Sajmir Neziri pritën autoritetet vendore, drejtues të institucioneve të ndryshme, nxënës të shkollave.
Modestia dhe thjeshtësia e tyre të imponon respekt. Sajmiri tregon aktivitetin e gjatë dhe të vështirë të Fondacionit, gjendjen e personave që trajtohen aktualisht në këtë qendër, punën e punonjësve që paguhen dhe atyre vullnetarë, bashkëpunimin me Bashkinë Mat, spitalin bashkiak, shkollat e Matit, etj
“Prej vitit 2011 funksionon qendra ditore “Shpresa e Re” qendër për fëmijë dhe të rinj me aftësi ndryshe, projekt i fondacionit OAZ. Kjo qendër frekuentohet aktualisht nga 35 fëmijë dhe të rinj (nga 6-30 vjec); ku ofrohen shumë shërbime duke filluar nga përkujdesje e thjeshtë, asistencë higjeno-sanitare, terapi të ndryshme (muzikë, arti, lojë, etj), mësim, ndihmë në realizimin e detyrave të shkollës për fëmijët të cilët kanë vështirësi, transport brenda qytetit falas, asistencë për familjet e tyre, ofrohet dreka falas etj”, shprehet Sajmir Neziri.
Kjo qendër mbështetet nga donatorë të ndryshëm, kryesisht nga Zvicra.