Dy vjet nga debati për reformimin e Akademisë së Shkencave, mazhoranca socialiste ka hedhur hapin konkret për të konkretizuar nismën e saj. Janë 14 deputetë socialistë të cilët kanë depozituar në Kuvend projektligjin për ndryshimet në Akademinë e Shkencave, duke filluar që nga mënyra e organizimit të saj, financimi e gjer tek anëtarësia duke vendosur edhe limite moshe.
Në draftin e siguruar nga tirananews.al, thuhet se Asambleja e saj përbëhet nga akademikët dhe akademikët e asocium, dhe numri i akademikëve është deri në 30, ndërsa numri i akademikëve të asociuar është deri në 10.

Nisma e propozuar
Janë 3 procedura të kandidimit e të përzgjedhjes, që përfshihen edhe struktura a përfaqësues të institucioneve të kërkimit shkencor e të kulturës. Asambleja zgjedh edhe anëtarë të jashtëm ndër personalitetet shkencore me shtetësi a origjinë shqiptare me banim jashtë vendit, si dhe anëtarë nderi ndër figurat e shkencës e të kulturës që janë shtetas joshqiptarë, të cilet me punimet e tyre kanë ndikuar në ecurinë e mendimit e të zbatimit të shkencës në Shqipëri.
Në draftin e paraqitur nga deputetët socialistë përcaktohet gjithashtu se personat me shtetësi shqiptare që janë anëtarë me të drejta të plota të një akademie pjesëtare të ALLEA-s, fitojnë drejtpërdrejt statusin e anëtarit të jashtëm të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
Ndërkaq, kufizon mandatet e anëtarëve të kryesisë deri në dy mandate, përcakton kompetencat e Kryetarit të Akademisë, si drejtimi e organizimi i punës e veprimtarisë së Akademisë e të Kryesisë; përfaqesimi i Akademisë në marrëdhënie me të tretët; raportimi në Asamble; drejtimi i mbledhjeve të Asamblesë etj. Titujt “akademik” dhe “akademik i asociuar” janë tituj shkencorë, e si të tillë hiqen vetëm në rastet e parashikuara në këtë ligj a me vendim gjykate, dhe shoqërohen me një pagesë shtesë të përcaktuar me VKM; kur një anetar i Asamblese shkon me banim të përhershëm jashtë vendit, atëherë ai kalon në statusin “anëtar i jashtem” dhe në rast rikthimi, rifiton statusin e mëparshëm.
Nuk mund të zgjidhen anëtarë të Asamblesë personat mbi 65 vjeç dhe as personat që ushtrojnë funksionin e drejtuesit në institucionet kushtetuese e në partitë politike; nuk mund të zgjidhen në organet drejtuese personat që kanë detyra të larta drejtuese në partitë politike etj.

Në këtë ligj përcaktohen edhe kushtet e ndërprerjes së mandatit të akademikut, si kur jep dorëheqjen dhe për kompromentim të rëndë të figurës së akademikut, për shkelje të “Kodit të etikës së kërkimit shkencor” a për shkaqe të parashikuara në ligj me vendim të Asamblesë, të marrë me shumicë absolute. Parashikohen gjithashtu edhe kushtet e ndërprerjes së mandatit edhe kur pranon të zgjidhet a të emërohet në një funksion të papajtueshëm të parashikuar në këtë ligj, kur mbush 4 moshën 75 vjeç ose kur shkarkohet nga Asambleja me 2/3 e votave për shkelje të rënda në ushtrimin e detyrës. / tirananeës.al
