Anwar El Ghazi nuk do të jetë më futbollist i Mainzit në Bundesligën gjermane, kjo pas vendimit të marrë nga bordi drejtues i klubit. Shkak është bërë një postim i 28-vjeçarit në rrjetet sociale, nga ku mbështeste Palestinën në luftën e ashpër që po zhvillohet me Izraelin. Pak ditë më parë, skuadra që militon në elitën e futbollit gjerman e cilësoi të paparnueshëm gjestin e futbollistit, të cilin fillimisht e pezulloi, e më pas i ndërpreu kontratën duke e larguar.
“Mainz ka liruar Anwar El Ghazi nga detyrat e tij. Vendimi vjen si rezultat i një postimi të bërë në rrjetet sociale nga 28-vjeçari që u shfaq mbrëmjen e së dielës, të cilin më pas e fshiu. Në postim, El Ghazi mbajti një qëndrim për konfliktin e vazhdueshëm në Lindjen e Mesme që u konsiderua i papranueshëm nga klubi. Klubi distancohet nga përmbajtja e postimit në rrjetet sociale në fjalë, pasi nuk përputhet me vlerat e klubit”, thuhet në njoftimin e ekipit.
Lojtari i lindur në Holandë, nëpërmjet postimit të tij në rrjete sociale doli në mbështetje të Palestinës, duke shkruar se lufta po bëhet mes të pabarabartëve, duke akuzuar Izraelin për keqinformim dhe duke e konsideruar të gjithën gjenocid.
