Provimi për shkallën e kualifikimit për të gjithë arsimtarët që kanë mbi pesë vite eksperiencë pune në institucionet e arsimit parauniversitar publik do të zhvillohet në datën 4 prill.
Në udhëzimin e miratuar nga dikasteri i Arsimit dy ditë më parë saktësohet se provimi me shkrim për kategorinë e kualifikimit të mësuesve në sistemin arsimor publik për vitin shkollor 2019-2020 do të zhvillohet në kryeqytet në ambientet e planifikuara nga Agjencia e Sigurimit të Cilësisë së Arsimit Parauniversitar.
Rezultatet pozitive të këtij provimi ngjisin mësuesit në një shkallë më të lartë kualifikimi, teksa u sigurojnë edhe rritjen e pagës nga 5 deri në 20 për qind, sipas shkallës përkatëse.
Kushtet për të hyrë në testim
Për të orientuar mësuesit që do të garojnë përgjatë këtij viti për të fituar shkallën e kualifikimit, tashmë janë zbardhur edhe programet orientuese me tematikat përkatëse që do jenë pjesë e provimit me shkrim të datës katër prill. Sipas afateve të përcaktuara nga MASR, mësuesi që është kandidat për kualifikim përgjatë 2020-s, duhet të plotësojë kërkesën për të marrë pjesë në procedurat e kualifikimit.
Kërkesën duhet ta dorëzojë pranë zyrave vendore të arsimit parauniversitar të vendbanimit të tij, së bashku me portofolin profesional brenda datës 14 shkurt. Arsimtarët që nuk arrijnë të aplikojnë brenda kësaj date, duhet të presin testimin e vitit të ardhshëm për të konkurruar sërish për shkallën e kualifikimit.
Po sipas afateve të përcaktuara në shkresën që MASR u ka dërguar zyrave vendore të arsimit parauniversitar në vend, bëhet e ditur se këto të fundit do të shpallin në datën 25 shkurt listat e mësuesve që janë regjistruar për të marrë pjesë në kategoritë e kualifikimit, ku secilit prej tyre do t’u bëhen të ditura edhe pikët e fituara nga dorëzimi i portofolit profesional.
Deri në mbyllje të muajit shkurt, mësuesit që kanë pakënaqësi me pikët e siguruara mund të bëjnë ankesat përkatëse. “Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar harton listat përfundimtare për të gjitha njësitë vendore që ndodhen nën juridiksionin e saj, lista të cilat i dërgon më pas në Agjencinë e Sigurimit të Cilësisë dhe në Drejtorinë e Përgjithshme të Arsimit Parauniversitar brenda datës 5 mars 2020. Pas kësaj date nuk mund të bëhen më ndryshime sa i takon pikëve që mësuesit kanë fituar nga portofoli.
Tre shkallët e kualifikimit dhe rritja ne pagës
Sipas udhëzimeve të shpallura më herët, në provimin me shkrim për të fituar shkallën e kualifikimit kanë të drejtë të marrin pjesë mësuesit që kanë eksperiencë pune mbi 5 vite të konfirmuara në institucionet e arsimit parauniversitar. Konkretisht, në testimin e prillit do të garojnë arsimtarët që deri në mbyllje të dhjetorit të 2019-s, zotërojnë të paktën pesë vite pune në arsim. Kjo kategori mësuesish kualifikohet për kategorinë “mësues i kualifikuar”.
Ndërsa mësuesit me vjetërsi pune 10-vjeçare do të testohen për kategorinë e kualifikimit “mësues i specialist”. Mësuesit me vjetërsi 20 vjeçare do të kualifikohen për shkallën më të lartë të kualifikimit që është “mësues mjeshtër”. Kjo ndarje konfirmon edhe rritjen e pagës që mësuesi siguron në rastet kur vlerësohet pozitivisht në testin me shkrim që do të zhvillojë në muajin prill.
Në këto kushte, rritja e pagës vijon nga 5 për qind, deri në 20 për qind për shkallën më të lartë të kualifikimit. Arsimtarët që nuk arrijnë të sigurojnë pikët kaluese përgjatë këtij viti, kanë të drejtë që të testohen sërish për të fituar shkallën përkatëse të kualifikimit përgjatë vitit 2021, çka do të thotë se rezultatet negative nuk penalizojnë mësuesin me humbje të vendit të punës.
Struktura e testit të kualifikimit
Testi i kualifikimit për secilën lëndë përbëhet nga dy pjesë. Pjesa e parë përmban pyetjet rreth njohjes së dokumenteve zyrtare, që kanë të bëjnë me veprimtarinë e mësuesve, programet përkatëse lëndore, metodologjinë e mësimdhënies dhe të nxënies në përgjithësi dhe të lëndës, etikën dhe komunikimin e mësuesit në institucionin arsimor, si dhe aspekte të drejtshkrimit të gjuhës shqipe.
Ndërsa pjesa e dytë do të përfshijë pyetjet rreth përmbajtjes shkencore të lëndës që mësuesi zhvillon në shkollë me nxënësit e tij. Krahas përmbajtjes specifike të lëndës që është e detajuar në mënyrë specifike sipas llojit të lëndës që mësuesi jep, njohja e dokumenteve zyrtare është shumë e rëndësishme. Një pjesë e konsiderueshme e pyetjeve të testit kanë të bëjnë me njohjen e urdhrave, udhëzimeve, ligjeve dhe dokumenteve të tjera ligjore në funksion të veprimtarisë mësimore. Sa i takon gramatikës, mësuesi duhet të dëshmojë në test njohjen e rregullave të drejtshkrimit të standardit të gjuhës shqipe.
Në pyetjet rreth etikës mësuesi duhet të dijë si të përshkruajë parimet themelore mbi të cilat është hartuar Kodi i Etikës së Mësuesit, të dallojë sjelljet e mësuesit që burojnë nga parimet themelore, të hartojë vetë një kod të thjeshtë sjelljeje që bazohet në parimet dhe standardet e Kodit të Etikës, të përshkruajë sjelljet model që duhet ta karakterizojnë, në varësi të funksionit që ka në komunitetin e shkollës, si dhe të dijë të sillet në përputhje me rregullat e etikës dhe të sjelljes në marrëdhënie me drejtuesit, stafin pedagogjik, nxënësit, prindërit dhe komunitetin gjatë punës së tij brenda dhe jashtë institucionit arsimor.
Vlerësimi përfundimtar i kandidatit bëhet me sistemin e 100 pikëve, të cilat mblidhen nga portofoli i mësuesit dhe bonuset (30 pikë), si dhe pikët e testit (70 pikë).
Në “Portofolin profesional” mësuesit duhet të përfshijnë këto dokumente:
“Curriculum me fotografi.
Vlerësimin e fundit të performancës që ka marrë kandidati nga drejtuesi i institucionit arsimor.
Fotokopje e noterizuar e certifikatave me kredite.
Fotokopje e noterizuar e dëshmive të titujve, apo gradave shkencore (nëse ka).
Fotokopje e noterizuar e dëshmive të mbrojtjes së gjuhëve të huaja që di dhe që i ka të faktuara.
Një plan të një aktiviteti me nxënësit e një klase të caktuar, në kuadër të shkollës si qendër komunitare.
Një test përmbledhës, sipas profilit përkatës. Testi përmbledhës sipas profilit përkatës mund të jetë testi në fund të një periudhe.
Objektivat e arritjeve të nxënësve për një kapitull ose rezultatet e të nxënit (në një lëndë dhe klasë të caktuar)
Një planifikim të një mësimi model (ditar),duke u bazuar në mësimdhënien me në qendër nxënësin.
Një plan të një projekti kurrikular së bashku me përshkrimin e realizimit të tij.
Skema e vlerësimit me pikë të portofolit
Komisioni i vlerësimit të Portofolit të ngritur nga titullari i Drejtorisë Rajonale të Arsimit vlerëson me 1 deri në 3 pikë secilin përbërës të portofolit profesional.
Kandidati që nuk fiton të paktën 5 pikë nga portofoli profesional, ose që nuk dorëzon të paktën një përbërës të tij, përjashtohet nga e drejta e pjesëmarrjes në provim
Kandidati fiton 5 pikë bonus kur :Ka diplomë (SHPU, MND, Master mbi 60 kredite, apo doktoraturë) e fituar në fushën e mësuesi. Këto pikë bonus do të shkojnë vetëm për ata kandidatë që janë diplomuara para janarit të 2011-s. Nëse diploma master është fituar pas janarit të 2011-s duhet të jetë e njohur nëpërmjet provimit të shtetit.
Gjuha e huaj e mbrojtur pranë Universitetit të Tiranës do të shoqërohet me pikë plus për të gjithë mësuesit që janë diplomuar para janarit të 2010-s. Nëse mësuesi ka siguruar të paktën shtatë kredite për çdo vit të kualifikimit nga lista e programeve të akredituara./Gazetadita/