Lëvizje të shpeshta të automjeteve të Policisë së Kosovës dhe të EULEX-it janë parë pranë barrikadës të vendosur dy ditë më parë tek udhëkryqi afër Shkollës Teknike në veri të Mitrovicës.
Barrikada vazhdon të qëndrojë aty, ndërsa shihen edhe persona civilë nga ajo pjesë të cilët kanë shtuar lëvizjet e tyre pranë barrikadës. Nga raportimet në zonë, situata e sigurisë aty paraqitet e qetë. Policët janë duke vazhduar patrullimet nëpër zonat e banuara me popullatë të përzier në veri të Mitrovicës.
Barrikadat në veri, që u bënë pengesë për lirinë e lëvizjes, duket se po numërojnë orët e fundit. Kështu të paktën ka lënë të nënkuptohet nga fjalët e presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, që dha një afat kohor deri të premten mbrëma se kur do të mund të hiqen.
“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha ai pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova të mërkurën mbrëma në kazermën e Ushtrisë Serbe në Rashkë, afër kufirit me Kosovën.
