Spanja është një nga vendet më të prekur nga pandemia Covid-19 dhe futbolli në vendin Iberik ka ndalur për të rifilluar në një njoftim të dytë. Të gjithë futbollistët janë të detyruar të qëndrojnë nëpër shtëpitë e tyre për të evituar një infektim të mundshëm, me sëmundjen, që ka mbërthyer gjithë globin prej muajsh.
Në Spanjë ne kemi edhe disa yje të kombëtares, që aktivizohen prej kohësh atje. Njëri prej tyre është edhe Keidi Bare. Mesfushori, ashtu si të gjithë gjatë këtyre ditëve, është i detyruar të stërvitet i vetëm për të ruajtur formën e duhur për rinisjen e kampionatit.
Ditën e sotme 22-vjeçari ka publikuar një video në “Instagram” ku stërvitet individualisht në ambientet e jashtme të shtëpisë së tij, që për hir të së vërtetës do të donte secili prej nesh të ishte në këto momente. Bare është karantinuar në “strehën” e tij dhe stërvitet në një ambient shumë të bukur mes palmave dhe buzë detit, i veshur me tutat e kombëtares sonë.

