Merkato e janarit nuk ka dhuruar lëvizje të mëdha të futbollistëve të njohur edhe për shkak të situatës finaciare si rrjedhojë e pandemisë, por edhe për shkak se shumë futbollistë tani prefeorjnë të mos ndryshojnë ekip në gjysëm të sezonit, duke pritur verën, kur mundësitë janë më të mëdha. Por në mediat ndërkombëtare sot janë publikuar lajme të cilat paralajmërojnë një verë të nxehtë, pasi do të lëvizin dy nga emrat më të njohur të futbollit botëror.
I pari është Lionel Mesi, në fund të kontratës së tij me Barcelonën. Lojtari nuk ka ndër mend të rinovojë dhe sipas “Bild”, për argjentinasin ka vetëm një destinacion, PSG-në. Ai do t’i bashkohej me qejf Poçetinos dhe mikut të tij Nejmar, i cili duket se nuk do të ndryshojë skuadër duke parë se në kryeqytetin francez do të vijë “Pleshti”. Një transferim me parametër zero, që e bën atë një okazion për parisienët, të cilët i kanë premtuar që tani një rrogë që do të kalojë atë të Barcelonës. Mançester Siti, edhe pse ka dëshirë të afrojë lojtarin, për momentin ka qëndruar në hije, ndaj largimi drejt Parisit duket hipoteza më e mundshme.
Nëse Mesi vjen, një emër i madh bëhet gati të largohet nga kryeqyteti francez. Kilian Mbape pritet të lëvizë drejt Anglisë në verë, pasi për të interesohet Liverpuli. PSG po mundohet t’i rinovojë kontratën, që përfundon në verën e vitit 2022 por nuk duket se fracnezi ka si qëllim të qëndrojë në radhët e këtij klubi, sepse synon të provojë një kampionat më të fortë. Në garë është edhe Real Madrid, por situata financiare e spanjollëve e bën të vështirë marrëveshjen.