Kryeministri Edi Rama informoi sot se në kurrikulën mësimore do të përfshihet edhe mësimi i teknologjisë që në klasë të parë, duke iu dhënë mundësi fëmijëve që të kenë akses të drejtpërdrejtë në mësim praktik dhe jo thjesht teorik.
Gjatë inaugurimit të shkollës dhe kopshtit “Lasgush Poradeci” në Kombinat, Rama siguroi se, “do të shkohet shumë përtej infrastrukturës së re në shkolla”.
“Për këtë arsye, do të angazhohemi shumë që përveç buxhetit të miratuar në parlament për vitin e ardhshëm, edhe në vitet në vijim të vendosim më shumë fonde për të transformuar shkollat jo vetëm në hapësira të rindërtuara për të marrë mësim, por edhe për t’u organizuar në aspektin social, kulturor e sportiv. Të gjitha këto palestra e salla të reja do të jenë në shërbim të një jete të re në shkollë dhe të mbushjes me energji pozitive të kohës jashtë klase të nxënësve”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se “do të përmbyset komplet kjo trashëgimi e gjithë këtyre viteve të vështira, duke pasur parasysh faktin se tani i kemi mundësitë për të nisur këtë fazë të re për shkollën, fëmijët dhe komunitetet”.
Ndërkohë, Rama shtoi se “ndërtimi i shkollave, sado të forta dhe të bukura të jenë, është i pamjaftueshëm”.
“Nuk mund të ketë vetëm klasa mësimi dhe të mos kemi biblioteka të pasura dhe laboratorë me standardet më të mira. Ne duhet t’i ofrojmë gjithë mbështetjen që i duhet procesit mësimor me infrastruturën suplementare, jo thjesht me muret, bankat e dyert, por me atë infrastrukturë suplementare që i shërben zhvillimit të mëtejshëm përmes aktivitetit jashtë klasës”, tha Rama.
Kryeministri siguroi se duke filluar nga viti i ardhshëm do të bëhet një ndryshim i qenësishëm për laboratorët për mësimin e informatikës.
“Do të fusim edhe mësimin e teknologjisë që në klasë të parë duke iu dhënë mundësi fëmijëve që të kenë akses të drejtpërdrejtë në mësim praktik, jo thjesht teorik, me mjete të teknologjisë dhe sistem tërësor të mësimit të teknologjisë. Kjo për të përgatitur shumë më tepër vajza dhe djem, për një treg të madh global botëror ku mund të punohet dhe fitohet shumë më tepër sesa një rrogë, pa qenë nevoja fare për të lëvizur nga shtëpia”, tha Rama.
