Kreu i shtetit Ilir Meta ishte i vetmi përfaqësues nga Shqipëria që mori pjesë në samitin e SEECP-së në Bosnje Hercegovinë.
Për Kosovën në këtë samit foli presidenti Meta. “Dua të shpreh keqardhjen për faktin se Republika e Kosovës, Kryesuesja jonë e ardhshëm, u detyrua të mos marrë pjesë në këtë Samit. Si mund të pretendojmë që të kemi një bashkëpunim të efektshëm ku disa nga pjesëmarrësit e këtij forumi bëjnë të pamundurën për të përjashtuar një popull dhe një një shtet të tërë fqinj nga përfitimi i bashkëpunimit ndërkombëtar dhe projektet rajonale në fusha kaq të rëndësishme si siguria, arsimi, kultura, etj. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe respekti i ndërsjellë janë thelbësore për të pasur një bashkëpunim të efektshëm rajonal, për sigurinë dhe begatinë ekonomike për të gjithë ne. Kështu që tani është koha e duhur që jo vetëm Bosnja dhe Hercegovina, që duhet të kishte bërë të gjitha përpjekjet për të garantuar pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Samit, por edhe çdo vend tjetër të bëjë përpara në drejtim të njohjes dhe pranimit të këtij realiteti. Republika e Kosovës është shtet i pavarur e sovran dhe duhet të trajtohet me respekt, para së gjithash nga vetë fqinjët e saj”, tha kreu i shtetit në fjalën e tij.
Kujtojmë që dy ditë më parë ministri në detyrë i MEPJ-së, Gent Cakaj bëri të ditur se nuk do të merrte pjesë në shenjë proteste për trajtimin që iu bë Kosovës. Një gjë të tillë e bëri dhe presidenti kosovar Hashim Thaçi, i cili refuzoi të merrte pjesë.

