Ministri i Jashtëm, Nikos Dendias, ka folur pë ecurinë e bisedimeve me Shqipërinë lidhur me çështjen e kufirit detar, ku ka theksuar se duan zgjidhje sa më të shpejtë për këtë çeshtje.
Ndër të tjera, ministri Dendias ka treguar se marrëveshja me Shqipërinë është nënshkruar në vitin 2009, por për arsye të ndryshme nuk është zgjidhur, ndërkohë që shpreson që të rihapen sërish bisedimet, për të arritur rezultate të mira nga të dyja palët.
“Është zgjedhje e Greqisë përcaktimi i shefit kontinental dhe ZEE të bazohet në të drejtën ndërkombëtare, me të gjitha vendet fqinj. Kështu dëshirojmë edhe me Shqipërinë të zgjidhim këtë çështje të prapambetur sa më shpejt të jetë e mundur. Siç deklarova pak kohë më parë në Parlament, në debatin për ratifikimin e marrëveshjeve të demarkacionit detar me Italinë dhe Egjiptin, shpresoj që hapi tjetër të jetë nënshkrimi i një marrëveshje me Shqipërinë. Më lejoni t’ju kujtoj se ne kishim nënshkruar një marrëveshje në 2009, por që nuk pati zhvillim për arsyet e panjohura. Shpresojmë së shpejti të mundemi të rihapim sërish fillin e bisedimeve përkatëse dhe të arrijmë në rezultate të kënaqshme për të dy palët. Është e rëndësishme, në kontekstin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe duke marrë parasysh perspektivën evropiane të vendit tonë fqinj, të mbyllen të gjitha çështjet e hapura, pasi kjo automatikisht do të drejtojë në një azhurnim të marrëdhënieve tona dypalëshe dhe do të jetë në të mirën e të gjithëve,”- ka thënë ministri grek.
