Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, në reagim të lajmeve të publikuara nga disa medie lidhur me mbylljen e Spitalit të Tepelenës sqaron se nuk ka asnjë plan për të mbyllur Spitalin e Tepelenës.
Plani Kombëtar Spitalor ka si qëllim organizimin e një kujdesi cilësor spitalor, kosto efektive të infrastrukturës dhe burimeve njerëzore, në përputhje me sëmundshmërinë, demografinë, gjeografinë dhe nevojat e paplotësuara.
Në kuadër të këtij Plani, janë analizuar aktivitetet e spitaleve, burimet njerëzore, aparaurat dhe distancat.
Spitali i Tepelenës ka 72 shtretër dhe në vitin 2022 ka kryer gjithsej 160 shtrime, 35 EKG, 7 Echo, asnjë egzaminim roentgenografik. Koeficienti i shfrytëzimit të shtratit ka qenë rreth 3%. Gjatë vitit 2022 ka ofruar rreth 3500 vizita në urgjencë. Pra, qytetarëve të Tepelenës i është shërbyer kryesisht me shërbim 24 orësh.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale nënvizon se spitali i Tepelenës, nuk do të mbyllet, por do të transformohet gradualisht në një spital që do t’i shërbejë më mirë nevojave të popullsisë me demografi të ndryshuar, ku është shtuar popullsia e moshuar, dhe nevojave që ka kjo popullsi, të paplotësuara deri tani, siç është kujdesi paliativ, geriartria e riaftësimi. Shtretërve të destinuar në planin e vjetër për kirurgji, obsetrike etj, do t’iu ndryshojë destinacioni për nevojat reale të qytetarëve të Tepelenës, në këtë etapë të transformimeve të ndodhura në shëndetësi.