Mjekja kirurge Lindita Shosha ka publikuar në faqen e saj në facebook një foto të mushkërive të dëmtuara të një pacienti, teksa shprehet e revoltuar ndaj gjithë atyre që nuk besojnë se koronavirusi ekziston dhe është real.
Ajo thotë se mjekët përditë shohin të tilla pamje mushkërish, përballen çdo ditë me këtë sëmundje dhe nuk ka vend për teori konspirative apo mosbesim dhe gënjeshtra. E nervozuar, ajo thotë se qytetarët i besojnë vetëm kur halli i sjell në dorë të mjekëve. Shosha u bën apel të gjithëve që të ruhen, të mbrojnë veten e tyre dhe të të afërmve, pasi ky është një virus i fortë dhe i rrezikshëm.

Reagimi i mjekes Shosha
Përditë shohim imazhe problematike të skanerave të mushkërisë copë -copë, sugjerus shumë të fortë për infeksionin nga Covid -19.
Kush jeni ju, more palaço ordinerë nëpër rrjete sociale e media, që helmoni këtë milet me teoritë konspirative, jo po nuk ekziston, jo po mjekët po gënjejnë, gjithë bota po gënjen. Veçse, kur të bini në dorë të mjekëve e të luteni për një fije frymë, mirë është , t’ju nxjerrim nga dritarja të ajroseni në bahçen, me barin e përvëluar nga 45 gratëshi i të nxehtit afrikan. Po këtë se bëjmë dot për askënd, as për ju, sepse respektojmë veten, profesionin që i kemi kushtuar gjithë jetën për nder të jetës së atyre që na besojnë. Vini gishtin kokës, mbrohuni sa të mundni, e nëse nuk e doni jetën tuaj, vjen vet shoku Covid, ju përqafon e kafshon madje, me mall të paparë, po të tjerët mos i helmoni e vrisni me injorancën tuaj stratosferike, vrastare të jetës. Po punojmë nonstop, në kushtet më të veshtira të jetës tonë, po u shërbejmë njerëzve duke rrezikuar veten , familjet, fëmijët, prindërit, miqtë. Njerëzit kanë sëmundje nga më të ndryshmet, ca prej tyre, tumorale e na shohin në dritë të syrit për ” shpresë” e duhet të jemi aty, në frontline t’ju shërbejmë atyre që e duan jetën, atyre që duan të shohin diellin e së nesërmes, e duhet të jemi të fortë. Mbyllini mor, gojët tuaja të liga, hapni sytë, e veshët, e kujdesuni për jetën që Zoti jua ka fal veç një herë.Jemi në këtë situatë për shumë arsye, po një prej tyre është papërgjeshmëria e paprecedentë e individëve të tillë. Lërini mjekët, të punojnë të qetë, në këto kohë tejet të vështira, përpos vapës, Covidit, rasteve problematike që kërkojnë zgjidhje, lodhjes së tejzgjatur, s’ju kemi mangët dhe mendjet e helmatisura nga virusi i injorancës.
