Milani bëhet gati që të ndërrojë pronësi për herë të tretë brenda 5 viteve të fundit. Klubi kuqezi do të kalojë nga fondi “Elliot” te ai “Investcorp”, por me një ndryshim të vogël, që shefi ekzekutiv i tij, duket se është bërë menjëherë tifoz i zjarrtë i kuqezinjve. Mohamed Al Ardhi është drejtuesi i kësaj kompanie që do të marrë së shpejti kontrollin e klubit, një figurë e cila në fakt vjen nga një e kaluar që ka pak lidhje me futbollin.
Mohamed Al Ardhi, ka lindur në Sur, në Oman dhe është transferuar me familjen në Muskat kur ishte adoleshent. Sipas të dhënave që gjenden në faqen zyrtare të “Investcorp”, ai ka një të kaluar të rëndësishme në jetën ushtarake, pasi ka qenë zëvendësmarshall i aeronautikës ushtarake. Ai ishte pjesë e Trupës Ushtarake Ajrore Mbretërore në vitin 1978 dhe është emëruar drejtues i aeronautikës ushtarake në Oman.
Më pas, ai ndërmori karrierën e biznesit, duke u bërë shpejt presidenti i Bankës Kombëtare të Omanit, ndërsa tani është lideri i Bursës në Muskat si dhe “Sohar International Bank”, një prej institucioneve më të rëndësishme financiare në vend.Gjithsesi, ngjyrat kuqezi duket se atij i kanë hyrë në zemër menjëherë, siç e tregoi edhe postimi në rrjetet sociale me urimin për skuadrën pasi u kthye shpejt përsëri në vendin e parë në renditje të premten. Gjithashtu, sipas televizionit të rëndësishëm në Lindjen e Mesme, “Al-Arabiya”, ai ka vendosur që të përfshihet vetë personalisht në të gjitha negociatat për blerjen e Milanit, që të jetë në mënyrë direkte lideri i projektit të rinj të kuqezinjve.
