Dy punonjës të DPSHTRR në Elbasan janë shpallur në kërkim dhe bashkëpunëtori i tyre 37-vjeçar është vënë në pranga, pasi policia ka zbuluar se kanë shitur 3 automjete që ishin marrë me qira. I arrestuari u ka hequr automjeteve pajisjet gjurmuese GPS dhe i ka falsifikuar dokumentet e pronësisë me ndihmën e punonjësve të DPSHTRR, për t’i nxjerrë më pas në treg.
Njoftimi i policisë
“Si rezultat i këtij operacioni, në bashkëpunim edhe me shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, u vu në pranga shtetasi: Th. B., 37 vjeç, banues në Elbasan. Gjithashtu u shpallën në kërkim shtetasit: R. L., 25 vjeç dhe I. B., 33 vjeç, të dy banues në Elbasan, të dy puonjës të DRSHTRR Elbasan.
Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi Th. B. dhe shtetasi R. L. kanë marrë me qira 3 automjete dhe pasi i kanë hequr GPS dhe i kanë falsifikuar dokumentet mbi pronësinë dhe dokumentet e tjera, i kanë shitur kundrejt vlerës 20.000 euro. Për falsifikimin e dokumenteve të automjeteve, shtetasi R. L. ka shpërdoruar detyrën në DRSHTRR Elbasan, në bashkëpunim me punonjësin tjetër, shtetasin I. B.”.
