Avokati Plarent Ndreca ngre shqetësime për sigurinë e Erion Veliajt pas transferimit të tij në burgun e Fierit, duke deklaruar se kryebashkiaku ndodhet në të njëjtin korridor me tre persona të dënuar me burgim të përjetshëm.
Në një intervistë për emisionin “Breaking” me Fiori Dardhën në Top News, Ndreca tha se njëri prej tyre është një personazh i njohur për veprimtarinë kriminale, për të cilin Veliaj ka reaguar edhe më herët publikisht.
Sipas avokatit, vendosja e Veliajt në këto ambiente ngre pikëpyetje mbi nivelin e sigurisë që i garantohet, duke pasur parasysh natyrën e veprave penale për të cilat janë dënuar personat e tjerë që ndodhen aty.
“Veliaj dhe akuzat ndaj tij lidhen me të ashtuquajturat krime të jakave të bardha, ndërsa ata janë dënuar për krime kundër jetës”, u shpreh Ndreca, duke kundërshtuar vendosjen e klientit të tij në të njëjtin korridor me persona që i cilësoi me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe fizike.
Ai theksoi se njëri prej personave të dënuar me burgim të përjetshëm është një figurë e njohur për shkak të veprimtarisë së tij kriminale, ndaj të cilit Veliaj ka reaguar edhe publikisht.
Madje njëri nga këta persona, i cili është i dënuar me burgim të përjetshëm është një ndër personat për të cilin z. Veliaj ka reaguar edhe publikisht sepse është një personazh i njohur për shkak të veprimtarisë së tij kriminale. Unë besoj se nuk ka dyshim që nuk janë kushtet maksimale të sigurisë. Sigurisht që një personazh i tillë politik dhe institucional si Veliaj nuk mund të qëndrojë në ambiente ku ka persona të dënuar me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe fizike, sepse ata janë dënuar për krime kundër jetës. Veliaj dhe akuzat ndaj tij lidhen me krime të ashtuquajtura të jakave të bardha, ndërsa ai është një personalitet i njohur politik dhe institucional në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë.”, deklaroi Ndreca.
