Dy grupet e PD-së janë në ”luftë” në Gjykatën Civile, e cila këtë të mërkurë ka legjitimuar si palë të tretë Rithemelimin, kjo në procesin gjyqësor për regjistrimin e ndryshimeve statutore që u bënë në Kuvendin Kombëtar të kësaj partie, që u mbajt më 2 shtator të këtij viti.
Përfaqësuesi i Partisë Demokratike së vulës, Rezart Kthupi ka sjellë argumente kundër. Ai ka deklaruar gjatë seancës se është sjellë një letër autorizimi me firmën e Sali Berishës, ndërsa shtoi se përfaqësimin nuk mund ta bëjë Rithemelimi në gjyq pasi sipas tij i ka mbaruar tagri. Sipas tij ka një autorizim që firmoset nga 29 anëtarë, ndërsa ka pyetur se cili është akti provues me të cilin provohet se kush është pala e autorizimit. Ai u shpreh se nevojitet akti me të cilin ky komision është themeluar.
Pas njohjes së tyre si palë në proces, Çlirim Gjata kërkoi pezullimin e seancës gjyqësore deri sa Gjykata e Lartë të shprehet për rekursin që përfaqësuesit e Berishës kanë depozituar për çështjen e logos dhe të vulës, ku Apeli i Përgjithshëm e ktheu në shkallë te parë.
“Kërkojmë pezullimin e procesit derisa Gjykata e Lartë të shprehet për rekursin që Rithemelimi ka depozituar për vendimin e 3-marsit, ku Apeli i Përgjithshëm ktheu në shkallë te parë çështjen e logos dhe vulës.”, theksoi Gjata. Mes të tjerash ai shtoi se “një vendim i Gjykatës Civile për regjistrimin e ndryshimeve statutore të 2 shtatorit, do të mbivendoste dy vendime të ndryshme”.
Pas diskutimeve dhe mendimeve ndryshe të palëve seanca e radhës është vendosur të mbahet në datën 1 nëntor, ora 13:00, pasi gjyqtari kërkon vërtetimin se pala përfaqësuese e Gazment Bardhit ka kërkuat regjistrimin e vendimmarrjeve të datës 27 korrik, referuar mbledhjes së 6 qershorit ku u vendos të fillojë procesi për zgjedhjen e kryetarit.
