Zdenek Zeman është dëshira e madhe e Partizanit për trajnerin e ri.
72-vjeçari çek pranoi se është kontaktuar nga drejtuesit e kuq, por që gjithsesi nuk ka asnjë garanci nëse ai do të thotë “po”.
Zeman drejtoi Pescarën në Serinë B, paga e trajnerit varionte nga 20 deri në 30 mijë euro në muaj. Zeman kishte krijuar një standard në vitet e fundit sa u përket financave dhe ulja e pazarit me çekun ishte e vështirë.
Mirëpo, tashmë që u bë një vit që nuk drejton skuadër, natyrisht gjasat janë që çeku të mos ketë pretendime të çmendura.
Nëse Zeman do të pranojë të drejtojë Partizanin ‘panorama sport’ ka zbuluar se trajneri çek që është italianizuar do të përfitojë plot 15 mijë euro në muaj.
Drejtues të Partizanit ditët në vijim do të udhëtojnë drejt Italisë për të vendosur përfundimisht emrin e trajnerit të ri që me shumë mundësi do të vijë përtej Adriatikut.
Së fundmi ka dalë në skenë edhe italiani Adolfo Sormani, i cili drejtoi për tre muaj të kuqtë në vitin 2016, duke arritur edhe një kualifikim historik në Ligën e Kampioneve. Largimi i Sormanit ka qenë një peng edhe për vetë presidentin Demi, i cili disa muaj më vonë ka pranuar se gaboi kur shkarkoi italianin.
Gjithsesi, Sormani dhe Partizani mund të ribashkohen, teksa 53-vjeçari është tashmë trajner i lirë.
