Përgjithësisht njeri i qetë, ku shpërthimi i tij më i madh do të ishte spërkatja me ujë e një opozite që çdo ditë i kishte ndjellë zinë, i matur në të folurën e tij dhe i përfolur herë pas here për rrëzimin e tij ministror, por gjithsesi i domosdoshëm në një qeveri që herë i merreshin këmbët dhe herë i dilnin këmbët e reja, ai, papritmas dhe befasisht, në një kalim spektakolar të shefit të qeverisë nga njëra gjendje emocionale tek tjetra, u largua nga detyra.
Më shumë se gjithçka tjetër do të ishte një largim i detyruar nga gjetja aspak politike që kishte hedhur në shehun e tij politik shefi i qeverisë, duke zëvendësuar gjithë ata që kishin 6 vite në detyrë. Së bashku me të njomin, sipas kësaj zgjidhje, shkoi edhe i thati. Për shumë vite me radhë Ditmir Bushati, aq sa ishte i përzgjedhuri i shefit të qeverisë, aq ishte edhe mallkimi i opozitës, sidomos i Berishës, që, përmes një goje erërëndë, pa asnjë lloj mirësie në shpirt, e kishte mbiquajtur Ditzi, duke ndjellë të keqen mbi jetën dhe ecurinë e një djali të ri, që për nga mosha, duhet të ishte i biri.
Opozita e trajtoi Bushatin si njollëvënës në historinë e diplomacisë shqiptare, shitës tregu politik , vartës zëheshtur, i dalë nga krimet e komunizmit, pinjoll bllokmen, tregtar të vendit të tij, dhurues të detit. Janë të pa numërta helmet e hedhura mbi kokën e tij, mëkati i të cilit ishte se vinte nga një familje që kishte emër të ndjeshëm në historinë e Shqipërisë, emër historibërës dhe që kurrë nuk ishte mburrur me të. Sikur, larg qoftë, Berisha apo të tjerë pranë tij, të kishin pasur një pjesë të kësaj historie, që nga Bushatllinjtë e famshëm, të njohur në gjithë hapësirën e dikurshme rumeliote, e deri tek xhaxhai i tij, Nuriu, 17-vjeçari i pushkatuar nga gjermanët, nuk do të ishin mbajtur, do kishin grisur gjoks e shpatulla. Tani Ditmir Bushati është një ndër deputetët e socialistëve dhe ndër më autoritarët.
Është njeriu që tha hapur se “marrëveshja e re e detit do të jetë një histori suksesi” dhe e gjithë kjo iu ndal në dyert e presidencës dhe u anatemua nga një kor i tërë opozitar, që nga më sharlatanët që kanë drejtuar dikur këtë dikaster, herë me presh dhe herë me letra personale për birin e shefit të dikurshëm të qeverisë, e deri tek ata që, pa asnjë lloj intelekti, të rënë në pushtet nga hiret vetjake e shitën faktikisht një pjesë të detit shqiptar. Ditmiri deputet, befas u bë Ditbardhi i opozitës, megjithëse nuk e lidh asgjë me të. Nuk e lidh as e djeshmja dhe as e nesërmja. Ai e di më mirë se të tjerët se “Ditbardhi” i sotëm është një gjë e përkohshme, e rastit, një gjetje prematurë e një opozite të lodhur, e cila ndërsa përkëdhel fjalën, nuk e ka harruar mprehjen e shpatës.
Lexo edhe: “Shqipëria në udhëkryq”, DW jehonë fjalës së Bushatit në Kuvend
Në dy ditët e fundit , pas fjalës së tij, Ditmir Bushatit, në Kuvendin e Shqipërisë, mediat opozitare e jo vetëm ata, shohin rebelimin e një deputeti ndaj qeverisë ku ishte pjesë; ndarjen që ka filluar mes tij dhe një grupi pranë tij me shefin e qeverisë; dhe në njërin drejtim kanë të drejtë. Ndarja mes Bushatit dhe Ramës nuk është një ndarje mes dy figurave të Rilindjes, por, nëse kjo ndodh, do të jetë mes dy mendimeve, të cilat, edhe pse nuk janë të kundërta, nuk janë të ngjashme. Askush nuk e di nëse edhe më parë ka pasur përplasje të tilla mes një ministri dhe shefit të tij, ashtu si askush nuk mund ta dijë nëse kjo e ndryshme, mund të bëhet e kundërt.
Por , kjo nuk përbën asgjë të jashtëzakonshme dhe asgjë tronditëse. Fakti është se ish ministri Bushati po bëhet përsëri Ditmiri i njohur, bota e të cilit është e vështirë të jetë e njëjtë me numrat që përbëjnë Kuvendin apo me injorimin e mendjes. Nëse si ministër kishte përcaktimet dhe kohën e tij të mendimit ndryshe, qenia e tij si deputet i krijon hapësirën që duhet të ketë një figurë e tillë. Fakti që Rilindja, në ecjen e saj qeverisëse, ka ndalesat e mëdha të saj, ka harresën ndaj ndëshkimit të krimit dhe premisën e faljes së një krimi të ardhshëm, nuk ka të bëjë as me Ditziun e Saliut, as me Ditbardhin e opozitës së tashme, por thjeshtë me riardhjen e Ditmirit deputet, i cili, pasi ka ngritur një ngrehinë institucionale, ndoshta edhe me gabime, nuk do që ajo të shembet duke nisur nga e para. E drejta e përplasjeve brenda një grupimi është e drejta më e ligjshme dhe më e natyrshme e saj.
Lexo edhe: Të tjerë zëra nga mazhoranca pro Bushatit
Nuk mund të bëhet ndryshe as shteti dhe as ngritja e shoqërisë. Fataliteti ynë, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, është tek perceptimi i pushtetit si një fillesë nga e para, si shembje e gjithçka të së shkuarës dhe hapje themelesh për një ngrehinë të re, e cila, shpesh herë, ka dalë më shkatarraqe se ajo që u shemb. Ditmir Bushati është një zë i veçantë i socialistëve. Intelektual i klasit të parë dhe njohës i rrethanave shoqërore, ai nuk bën përjashtim nga gjithë ajo elitë e kësaj force politike që, ndër vite i kanë dhënë asaj emrin e forcës më të moderuar, më shprehëse, më të hapur dhe emancipuese që ka pasur Shqipëria në këto 30 vitet e fundit.
Nuk e di nëse është zemëruar apo jo me fjalën e Ditmir Bushatit shefi i socialistëve, Edi Rama. Nëse është zemëruar , kjo do të thotë se vazhdon të rrijë në krye të kësaj force me mendësinë e janarit të vitit 1991 dhe, me gjithë oratorinë e lirisë së mendimit, mbyllja do të jetë më e fuqishme se sa hapja e ideve, vizioneve dhe perceptimeve politike. Bushati ishte para dy ditësh një shembull që pritej. Edhe , në rastin ekstrem, e ka bërë nga mëria e largimit të pushtetit, ai ka bërë atë që është pritur dhe duhet bërë edhe më tej: hapjen e një debati për përsosjen e një ecurie politike, e cila, ka qenë e mbetet forca kryesore politike shqiptare
