Ndryshimi i emrit tregtar nga “Telecom Albania” në “One” nuk ka shmangur pakënaqësitë e qytetarëve. Janë me dhjetëra ankesa në faqen zyrtare të “One” të cilat denoncojnë për mbifaturim ose për shtrenjtim të pagesave. Një prej klientëve shprehet se është mbifaturuar 4-fish dhe pavarësisht ankimimit nuk ka marrë një përgjigje prej kompanisë.
Ndërkohë një shqetësim i vazhdueshëm është dhe konsumimi i internetit. Qytetarët dyshojnë se pavarësisht paketave me shumë Giga internet, ato konsumohen shumë shpejt duke shprehur dyshime se ato nuk janë reale.
Pavarësisht reklamimit të internetit me shpejtësi të lartë, qytetarët shprehin ankesa për internet të ngadaltë dhe se nuk marrin shërbimin e kërkuar për të cilin kanë paguar. Sipas tyre, interneti përkundër ofertës që kanë bërë, është tepër i ngadaltë, aq sa shkakton dhe probleme komunikimi.
“Kur e morët ju të “One” kujtuam se do bëhej më mirë, po e keni bërë më keq. Jeni zhvatës do largoheni nga ju”, shkruan një prej komentuesve.
Shitja e aksioneve
Në 2018-n, grupi grek OTE – i cili është në pronësi të rrjetit gjerman të telekomunikacionit, “Deutsche Telecom” – dhe zotëronte 99.79% të aksioneve të “Telekom Albania”, e nxori atë në shitje. Në janar 2019, u njoftua se blerësi ishte sipërmarrja bullgare “Albania Telecom Invest AD”, për një shumë totale prej 50 milionë eurosh. “Albania Telecom Invest AD” kontrollohet nga z. Spase Roussev, aksioner kryesor i operatorit të telefonisë bullgare “Vivacom”, dhe nga z. Elvin Guri, një investitor shqiptaro-bullgar.
Pak ditë përpara miratimit të kalimit përfundimtar të aksioneve të “Telekom Albania” te bullgaro-shqiptarët e “Albania Telecom Invest AD” (që u finalizua në 7 maj 2019), kompania vendosi, si pjesë e marrëveshjes së blerjes, të shpërndajë 50 miliardë lekë (400 milionë euro) si dividend për aksionerët e “Cosmote Mobile Telecommunication”.
Tirananews.al sjell disa prej ankesave të qytetarëve shqiptarë ndaj kompanisë “One” në faqen zyrtare në Facebook-un e saj.





