Dosja e inceneratorëve, dha sot rezultatet e para, ndërsa SPAK arrestoi ish-ministrin e Mjedisit Lefter Koka, nën akuzën e shpërdorimit të detyrës, korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Lefter Koka u zgjodh ministër i Mjedisit në kabinetin e kryeministrit Edi Rama pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2013, si pjesë e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ai u largua nga funksioni pas një mandati të plotë në vitin 2017, si pasojë e prishjes së koalicionit PS-LSI.
Koka ka përfunduar studimet në Fakultetit e Shkencave Juridike në Strugë.
Ai u përfshi në politikë në vitin 2000 si anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas angazhimit në sektorin privat.
Në vitet 2003-2007, Lefter Koka ka shërbyer si kryetar i Bashkisë së Durrësit, ndërsa më 2009-n hyri në Kuvend si deputet nën siglën e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Ndryshe nga shumica e deputetëve të opozitës, ai nuk pranoi ta djegë mandatin e deputetit në shkurt 2019, ndërsa në nëntor 2020 Koka iu bashkua Partisë Socialiste.
Në zgjedhjet e 25 prillit 2021, Koka fitoi mandatin e deputetit nën siglën e PS, pasi garonte i 7-ti në qarkun e Durrësit, para kryeministrit Edi Rama.
Më 1 shtator të këtij viti, Koka njoftoi heqjen dorë nga mandati i deputetit. Ai shkroi në një status në “Facebook” se vendimi i tij i ishte njoftuar KQZ dhe Kuvendit, ndërsa theksonte se e kishte përmbyllur ciklin e tij politik. Ai shtoi se rrugëtimin politik do ta vijojnë bashkëpunëtorët që e bënë fitues për vite me radhë.
Postimi në “Facebook” për lënien e mandatit
Dy dekada më parë, me përgjegjësi të lartë publike, mora përsipër të garoja për të qenë zëri qytetarëve durrsakë. Në këtë rrugëtim plot sfida, suksese e padiskutim dhe dështime, pata fatin të dëshmoj fuqinë e besimit, si dhe dinjitetin e njerëzve që punojnë çdo ditë me ndershmëri dhe përkushtim për një të ardhme më të mirë.
Në morinë e sfidave me të cilat ky rrugëtim të përball është gjithmonë e vështirë të ndalesh një moment dhe të vlerësosh se kur është koha e duhur për të mbyllur një cikël.
Sot është dita që rrugëtimin tim politik, ta vijojnë ata mijëra bashkëpunëtorë të mitë, që më bënë fitues për vite me radhë dhe që mbase nuk kam mundur asnjëherë t’i falënderoj sa duhet. Sot, e ardhmja u përket atyre!
Me këtë vendim timin, është njohur institucionalisht si Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ashtu edhe Kuvendi i Shqipërisë.
Së fundmi, mirënjohje të madhe për mundësinë , besimin dhe privilegjin e jashtëzakonshëm që më është dhënë t’i shërbej me përkushtim qytetit, vendit dhe njerëzve që dua!
Shqipëria është padyshim sot një vend më i mirë se dje, është vendi plot dritë shprese që na përket të gjithëve.”
Në emisionin ‘Opinion’, i pyetur për dorëheqjen e Lefter Kokës, Rama do të deklaronte: “Lefter Koka? Ciklet nuk mbarojnë sipas sezoneve të emisionit ‘Opinion’. Votat i ka marrë PS, tërësinë e votave. Është një numër i caktuar vendesh, nëse dikush për shumë arsye dëshiron të kalojë stafetën, kalon stafetën”.
Më 21 tetor 2021 kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi dorëzoi në SPAK kallëzimin e tretë për atë që e cilëson afera korruptive shtetërore e inceneratorëve. Pas padisë për inceneratorin e Tiranës dhe Elbasanit, Kryemadhi ka dorëzuar në SPAK dhe një tjetër padi, këtë herë për inceneratorin e Fierit, duke e akuzuar për dy vepra penale atë të ‘Shkeljes së barazisë në tendera’ dhe ‘Shpërdorimin e Detyrës’.
