Policia e Shtetit ka dhënë detaje lidhur me ngjarjen e rëndë në Himarë. Sipas policisë, ishin katër pjestarë të një familjeje që kishin dalë në det. Një telefonatë është bërë në polici se një mjet rrezikohej nga dallgët e mëdha.
Ndërkaq, vijon kërkimi intensiv në det, për gjetjen edhe të një shtetaseje që ishte në bordin e këtij mjeti lundrues, e cila dyshohet se është mbytur.
Si rezultat i operacionit të përbashkët të Policisë Kufitare dhe rojës bregdetare dhe ndihmës nga një mjet lundrues turistik i rastit, u bë e mundur të shpëtohen shtetasit R. R., F. R. dhe A. R., ndërsa shtetasja M. R. nuk është gjetur ende. Vijojnë kërkimet intensive me mjetet lundruese të Policisë Kufitare dhe të rojës bregdetare.
Personat e shpëtuar u dërguan në Jalë, ku i priste ambulanca e qendrës shëndetësore Himarë e njoftuar nga Policia Kufitare, dhe ndodhen në spital, jashtë rrezikut për jetën.
