Pas mbi një dekade ndërmjetësimi në procesin e dialogut mes Kosovës e Serbisë, Bashkimi Europian duket se nuk dëshiron të humbasë më kohë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano pohoi se në ditët në vijim institucionet e bllokut me mbështetjen e liderëve të tij, do të hedhin hapat e parë drejt zbatimit të Marrëveshjes së Ohrit, së bashku me Kosovën dhe Serbinë. Si Prishtina, ashtu edhe Beogradi kujtoi ai, janë të detyruara të zbatojnë marrëveshjen dhe aneksin e implementimin, në të kundërt, ta harrojnë anëtarësimin në BE.
“Shefi i Politikës së Jashtme, Josep Borrell do t’i këshillojë të dyja palët në kryerjen e detyrave të tyre sa I takon zbatimit të Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përfshirë aneksin zbatues. Tashmë do të jetë në lojë reputacioni i të dy vendeve dhe besimi që ndërkombëtarët kanë tek ato, kështu që duhet të tregojnë se janë partnere të besueshme për BE-në, prandaj është e nevojshme të vihet në jetë ajo që kanë premtuar”, ka thënë zëdhënësi i BE-së Petër Stano.