Nga Dritan Hila*
Në vitin 2004, Anastas Angjeli, ato mote ministër i Financave, vjen për vizitë zyrtare në Bari dhe ne si konsullatë dolëm dhe e pritëm. Pas takimeve, në darkë, ulemi në Torre a Mare,qytezë satelit e Barit, të pijmë një kafe. Ai na tregoi për negociatat që kishte pasur para ca kohësh me FMN-në. Rrëfeu se gjatë negociimit të kushteve, të cilat i ishin dukur të rënda, drejtuesi i delegacionit të FMN i thotë: Ndjesë por draftin nuk e kam bërë unë, por anëtarët e delegacionit, dy nga të cilët i ke shqiptarë.
Për momentin, tha Angjeli, mendova se bënte shaka; pastaj se ishin fëmijë të arratisurish dhe na urrenin si socialistë, por kur partneri i identifikoi dhe ata u prezantuan, mësova se ishin shqiptarë të ikur dhe studiuar pas viteve ‘90-të. Ju fola në shqip dhe ju thashë me të lutur që pse kishin vepruar kështu. Por ata nuk kishin asnjë ndjenjë për Shqipërinë, vazhdoi rrëfimin greku i Shqipërisë, por ishin thjesht burokratë të një organizate pa ndjenja.
Sot, 15 vite më pas, une shoh në fb se mijëra të rinj shqiptarë, bij emigrantësh ose jo, diplomohen dhe bëjnë karrierë jashtë në kompani dhe organizma prestigjiozë. Sinqerisht mendoj, se nuk na kanë asnjë borxh. Faji është yni që bëmë një atdhe të shëmtuar. Por shpresoj se nëse ju vjen ndonjëherë fati i Shqipërisë në dorë, të vënë dorën në zemër. Fundja varret e të parëve nuk i fusin dot në kasetat e sigurisë të bankave ku punojnë.
*ish-zv/ministër i Mbrojtjes në qeverinë Rama 1, ish-diplomat
