Emigrantët në Greqi që nuk kanë dokumente të rregullta qëndrimi, mund të shfrytëzojnë një shans për legalizimin e tyre.
Nëse ata përmbushin disa kushte të caktuara, mund të pajisen me leje qëndrimi për arsye të jashtëzakonshme.
Të drejtën aplikimit e kanë ata emigrantë që kishin dikur leje qëndrimi, edhe pse tashmë ajo leje ka skaduar.
Apo emigrantët që kanë në pasaportën e tyre një vizë hyrëse në Greqi, të lëshuar tre vjet para aplikimit. Thënë këtë një emigrant që ka hyrë me vizë në Greqi në prill 2014, mund të aplikojë për leje të jashtëzakonshme.
Ka shumë emigrantë që ndodhen në Greqi prej shumë vjetësh, po kurrë nuk mundën të marrin leje qëndrimi. Këta tashmë mund të aplikojnë, nëse vërtetojnë se ndodhen në Greqi të paktën shtatë vitet e fundit.
Në fakt, dhënia e lejes për arsye të jashtëzakonshme është një shans i cili u ofrua para dy vjetësh, por fakti se gjithë aplikimet pranoheshin në një zyrë të vetme, bëri që aty të grumbulloheshin më shumë se 100.000 aplikime, duke e vështirësuar gjithmonë e më shumë menaxhimin e tyre.
Por tani duket se procesi po hyn në binarë. Qeveria greke ka vendosur që aplikimet të bëhen në gjithë Greqinë, dhe në zyrat përkatëse të shërbimit të emigrantëve.
Sipas ekspertëve, kjo është një masë mjaft pozitive, pse do të ketë një shpërndarje proporcionale të aplikimeve, duke mundësuar përshpejtimin e porocedurave.
Por drejtori i drejtorisë së emigracionit në periferinë e Athinës, Ilias Hronopulos, thotë se në të njëjtën kohë, krijohen probleme të reja.
Ilias Hronopulos: E vetmja gjë pozitive është se tashmë nuk do të jetë nevoja që të gjithë të grumbullohen në një pikë, në Pire, por aplikimet do t’i bëjnë aty ku banojnë.
Sigurisht, fakti që ky proces fillon njëkohësisht me lejet biometrike dhe sistemin e ri kompjuterik, neve që përballojmë një fluks shumë të madh emigrantësh, do të na vështirësojë sepse, e kuptoni që për ne prioritet kanë emigrantët me dokumente, unë nuk do t’i mbyll të gjitha takimet për ata që nuk kanë letra dhe të lej të presin ata që janë me leje të skaduara duke i bërë të paligjshëm. Nuk është logjike kjo!
Gjithsesi, në momentin që bën aplikimin, emigranti fiton një far statusi që të paktën i garanton qëndrimin në Greqi, deri në momentin e përgjigjes përfundimtare. Kjo është një tjetër anë pozitive, shpjegon Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor në qendrën e shërbimit të emigrantëve, Athinë.
Fatos Malaj: Me vërtetimin e bardhë që do të marrë pas aplikimit nuk ka mundësi që ta kapë policia apo t’i komunikohet vendimi për largimin nga Greqia. Thjesht, këtu nuk do të jetë më si më përpara, që vonohej 4 apo 5 vjet. Këtu, me aplikimin që do të bëhet për lejen e jashtëzakonshme, brenda 3 muajve dhe të shqyrtohet aplikimi dhe në qoftë se i përmbush kushtet, do të marrë lejen e qëndrimit.
Në Greqi jetojnë më shumë se gjysmë milioni emigrantë të ligjshëm. Dy të tretat e tyre janë shqiptarë, siç rezulton nga statistikat zyrtare.
Më konkretisht janë mbi 577 mijë emigrantët e pajisur me leje qëndrimi. Ata janë nga 150 vende të ndryshme.
Ndërkohë që nga listat zyrtare rezulton se është mbi 410 mijë numri i emigrantëve shqiptarë, që gjithashtu kanë leje qëndrimi. /oranews