Paraditen e djeshme, në protestë u shfaq një personazh i cili i frekuenton rregullisht ato.
Ai gjithmonë zgjedh një formë të veçantë për të shprehur revoltin e tij ndaj klasës politike.
Nuk vjen në protestë as me hu’ dhe as me gurë në dorë, por i pajisur me një mesazh në të cilin shumë njerëz kanë gjetur veten, kjo pasi fotot e tij janë shpërndarë masivisht në rrjetin social Facebook.
Dilaver Nela vjen nga Laçi. Ai është 55 vjeç dhe thotë së është i pa strehë.
Paraditen e djeshme, pak minuta para se Bulevardi të pushtohej nga turma e njerëzve që i shkonin nga pas kreut të opozitës, në xhirot rretherrotull kryeministrisë Dilaveri u fotografua nga të pranishmit me mesazhin e tij të veçantë në trup.
Ai mbante tri tepsi në kokë, të vendosura njëra pras tjetrës, ku lexohej: PS, PD dhe LSI. Ndërkohë sipër tyre shkruante “Shoqëri Civile”, ndërsa të varur në qafë mbante një pankarte ku lexonte: “S’ka Shqipëri, ka 3 tepsi” .
Por për Dilaverin protesta zgjati shumë pak. Ai qëndroi në bulevard kur ende nuk kishte ardhur turma. Pasi sapo erdhën protestuesit, atë e larguan.
Mesa duket 55-vjeçari nuk ishte njëri prej tyre.

“Sa më shumë pasurohen aq më të fuqishëm bëhen”
Ai ka shumë arsye për të ardhur ne protestë dhe sipas tij Shqipërinë duhet ta bëjnë ndërkombëtarët.
“Nuk është hera e parë që protestoj. Na lanë kështu, duke pritur… Europën. Këta (politikanët) e kanë mendjen të gjithë të lugët, tepsia dhe kazani, nuk e kanë mendjen te populli.
Për interesin e tyre, pa na ngopur ne popullin me bukë duan të na çojnë në konflikt civil për të dytën herë. Këta, dhe e kam fjalën për të gjithë klasën politike të gjithë, janë çmendur, kanë dal nga shinat. Ky establishment ka mbaruar. U bën 30 vjet tashmë”.
Pyetjes se pse këta politikanë rezistojnë kaq gjatë dhe nuk largohen ai shprehet duke futur sërish në rol ndërkombëtarët, pasi sipas tij janë ata që i kanë mbështetur.
“Ndërkombëtarët i mbajnë sepse janë klasë e korruptuar politike, pseudo elitë, i mbajnë se kanë mundësi të tërheqin prej hundësh më lehtë, ndërsa ne na kanë hipur në kurriz”.
Për Dilaverin janë vetë një grusht njerëzish të pasur në këtë vend dhe që sa më shumë pasurohen aq më shumë të fuqishëm bëhen. Për të, politikanët vetëm pasurohen dhe nuk mendojnë fare për popullin, të cilit i kanë kërkuar votën.
“Këta nuk po na lenë të ecim parapara. Nuk të lësh të shkosh gjëkundi. Të lënë vetëm të ikësh 3 muaj. Çfarë do bëjmë tre muaj ne jashtë”.

Zgjidhjen Dilaveri e shikon sërish te ndërkombëtarët.
“Duhet të ndërhyjnë ata që i kanë mbajtur në pushtet gjatë gjithë këtyre viteve. Populli ynë nuk i heq dot. Ata janë majmur me pasuri tani. Nuk pyesin më. 80 vetë që janë tani të pasur janë pasuruar aq shumë sa ne nuk i bëjmë dot më asgjë këtyre. Të gjithë pranë e kanë këta. Ne nuk kemi asgjë. Nëse vazhdohet kështu, këta nuk kanë për të ikur kurrë.
Ata që i ënjtën me lekë, ndërkombëtarët, se lekët e tyre kanë marrë dhe kanë vjedhur, ata të vijnë t’i arrestojnë. Të ndërhyjnë ndërkombëtarët. Ndryshe këtu nuk gjendet e drejta”.
Po me votë, a nuk largohen? “Po votimet janë vjedhur gjithmonë, që nga viti 1996 e deri më sot. Ne nuk kemi parë ndonjë nga kjo klasë politike që të mos ketë vjedhur!
Unë shoh në lajmet e huaja, në gjithë botën, votohet ndryshe. Të gjithë e kanë hedhur poshtë establishmentin e korruptuar. Qoftë Greqia me Cipras, qoftë Italia me pesë yjet, vetëm ne po i mbajmë si relike të vjetra që nuk na duhen por vetëm na shkatërrojnë”.
Dita