Në korrik të këtij viti kryeministri Edi Rama premtoi se do të krijohej një strukturë e posaçme për personat që janë të shpallur në kërkim dhe që i janë shmangur drejtësisë. KJo lëvizje vjen pas rasteve të shumta të gjobvënies ndaj biznesmenëve, rrëmbim e pengmarrje personi etj.
Së fundmi në profilin e tij në Facebook Rama ka postuar pamje nga stërvitja e kësaj njësie të quajtur NJSK, Njësia Speciale e Kërkimit. Kjo njësi është i modelit FAST, siç është dhe struktura e BE-së për të përmirësuar ndjekjen dhe arrestimin e kriminelëve të kërkuar ndërkombëtarësisht për krime.
“Njësia Speciale e Kërkimit të personave që i janë shmangur drejtësisë (ndryshe njësia speciale kundër “të Fortëve”), është një njësi e re elitë e Policisë së Shtetit, e cila po përmbush fazën stërvitore intensive, përpara daljes në terren”, shkruan Rama në postimin e tij.
Rama tha në atë kohë se do të goditet njëherë e përgjithmonë krimi i këtij lloji dhe kjo strukturë e posaçme do të hidhet në aksion.”“Kemi gati një njësi super speciale, që do të merret me të gjithë të fortët e rrugëve, ose të lagjeve ose të qyteteve. Ajo që e kam anoncuar disa kohë më parë dhe që do të jetë pjesë e presionit të policisë kundër këtyre tipave, që nëse do të vendosin të qëndrojnë në Shqipëri duhet të përgatiten për t’u fshehur në vrima që duhet të jenë shumë shumë të ngushta, përndryshe nuk do të kenë mundësi të marrin frymë”, tha më 31 korrik Edi Rama.