Ndihmës Sekretari Amerikan për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Philip Reeker, ka ka zhvilluar dje në Tiranë disa takime të nivelit të lartë.
Fillimisht Reeker, i shoqëruar nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, u takua me kryeministrin Rama, dhe fill pas tij me kreun e opozitës Lulzim Basha.
Por mesa duket, takimet e numrit dy të Departamentit të Shtetit kanë vijuar edhe në mbrëmje.
Reeker bashkë me ambasadoren amerikane Yuri Kim, ka zhvilluar mbrëmjen e djeshme një darkë pune me disa personalitete nga politika dhe media.
Elisa Spiropali, Edith Harxhi, Ilva Tare dhe Remzi Lani kanë qenë të ftuarit special në darkën e punës të Ndihmës Sekretarit Amerikan, Philip Reeker, e cila është zhvilluar në ambientet e restorant ‘Pireus’ ne kryeqytet.
Mbetet ende e pazbardhur biseda nga takimi midis tyre.
Kujtojmë se, përgjatë të gjitha takimeve, Ndihmës Sekretari në Detyrë Reeker theksoi rëndësinë e marrëdhënieve SHBA-Shqipëri gjatë 30 viteve të fundit, që kur Shqipëria refuzoi diktaturën komuniste dhe pranoi demokracinë.
Ai nënvizoi vendosmërinë e Presidentit Biden dhe Sekretarit të Shtetit Blinken se lufta kundër korrupsionit, përfshirë përmes përcaktimeve publike për korrupsion madhor sipas Nenit 7031(c) të Departamentit të Shtetit për Operacionet e Jashtme, dhe Programet Përkatëse të Nenit mbi Përvetësimet 2021, është një interes thelbësor i sigurisë kombëtare për Shtetet e Bashkuara.

