Kërkimi intensiv për variantin e ri të koronavirusit të identifikuar për herë të parë në Afrikën Jugore sapo ka filluar. Liderët botërorë u kanë bërë thirrje njerëzve që të mos kenë frikë, por të vaksinohen, nëse munden.
Çfarë është varianti Omicron?
I identifikuar për herë të parë në Botsvana dhe Afrikën e Jugut, ky version i ripërtërirë i koronavirusit ka shkaktuar shqetësim midis shkencëtarëve dhe zyrtarëve të shëndetit publik për shkak të numrit jashtëzakonisht të lartë të mutacioneve që kanë potencialin ta bëjnë virusin më të transmetueshëm dhe më pak të ndjeshëm ndaj vaksinave ekzistuese.
Organizata Botërore e Shëndetësisë e ka quajtur Omicron një “variant shqetësues” dhe të hënën paralajmëroi se rreziqet globale të paraqitura prej tij ishin “shumë të larta”.
Rastet janë identifikuar në 20 vende deri më tani, duke përfshirë Britaninë, Italinë, Belgjikën dhe Holandën. Edhe pse Omicron nuk është zbuluar ende në Shtetet e Bashkuara, ekspertët thonë se është vetëm çështje kohe para se ky variant të shfaqet.
A duhet të shqetësohemi?
Zbulimi i Omicron ka shkaktuar panik të konsiderueshëm në të gjithë globin. Disa vende kanë ndaluar fluturimet nga Afrika Jugore, apo si Izraeli, Japonia dhe Maroku – duke ndaluar totalisht hyrjen e udhëtarëve të huaj.
Por ekspertët e shëndetit publik kanë kërkuar të bëhet kujdes, duke vënë në dukje se ende nuk ka asnjë provë të fortë se Omicron është më i rrezikshëm se variantet e mëparshme si p.sh Delta, e cila kaloi më shpejt se paraardhësit e saj në Shtetet e Bashkuara dhe vende të tjera.
Edhe pse Delta rezultoi të ishte shumë më e transmetueshme se variantet e mëparshme – dhe ka disa të dhëna që thonë se mund të shkaktojë gjendje të rëndë tek të pavaksinuarit – ka po ashtu pak prova që tregojnë se është më vdekjeprurëse ose i aftë për të mposhtur vaksinat.
Mbetet situatë shumë e panjohur për Omicron, duke përfshirë faktin nëse ai është më i transmetueshëm dhe i aftë të shkaktojë sëmundje më të rënda. Ka vetëm disa prova që varianti mund të riinfektojë njerëzit më lehtë.
Ka shenja paraprake që tregojnë se Omicron mund të shkaktojë vetëm simptoma të lehta. Por ky vëzhgim bazohej kryesisht në rastet e Afrikës së Jugut midis të rinjve, të cilët kanë më pak gjasa në përgjithësi të sëmuren rëndë nga Covid.
Dr. Angelique Coetzee, e cila kryeson Shoqatën Mjekësore të Afrikës së Jugut, tha se spitalet e vendit nuk ishin të mbingarkuar nga pacientët e infektuar me variantin e ri dhe shumica e të shtruarve në spital nuk ishin imunizuar plotësisht. Për më tepër, shumica e pacientëve që ajo kishte parë nuk e humbën ndjenjën e shijes dhe nuhatjes dhe kishin vetëm një kollë të lehtë.
Të martën, Regeneron (kompani farmaceutike – shën. i përkth.) tha se trajtimi i tij përmes antitrupave Covid, mund të jetë më pak efektiv kundër Omicron, një tregues ky që nënkupton se ilaçet e njohura dhe gjerësisht të dobishme të antitrupave monoklonale mund të kenë nevojë të përditësohen nëse varianti i ri përhapet në mënyrë agresive.
Thënë kështu, shfaqja e Omicron është aq e shpejtë saqë mund të duhet pak kohë përpara se ekspertët të dinë nëse është më shumë patogjenik. Shtrimet në spital me Covid vonojnë për infeksionet e reja me dy javë ose më shumë.
Shkencëtarët presin të mësojnë shumë më tepër në javët e ardhshme.
Për momentin, ata thonë se nuk ka asnjë arsye për të besuar se Omicron është i papërshkueshëm nga vaksinat ekzistuese, megjithëse ato mund të rezultojnë të jenë më pak mbrojtëse në një farë mase të panjohur.
Ka një arsye tjetër për të qëndruar të qetë: prodhuesit e vaksinave kanë shprehur besimin se mund të modifikojnë formulimet ekzistuese për t’i bërë dozat më efektive kundër varianteve të reja.
Gjithashtu qetësues është fakti se mutacionet dalluese të Omicron e bëjnë të lehtë identifikimin, përmes një tamponi nazal ose testi laboratorik.
Unë jam plotësisht i vaksinuar – madje kam marrë një dozë përforcuese. Pra, pse duhet të kujdesem për Omicron?
Ashtu si Delta, e cila u identifikua për herë të parë në Indi, shtimi i rasteve m,e një tjëtër variant të ri, shqetësues për të gjithë botën, tregon për një problem më themelor me të cilin përballet komuniteti global më shumë se një vit e gjysmë pas pandemisë.
Grumbullimi i vaksinave nga vendet e pasura, ndërkohë që kombet më të varfra luftojnë për t’i siguruar ato, ofron më shumë mundësi për SARS CoV-2 që të përsëritet dhe të ndryshojë në mesin e të pavaksinuarve. Më shumë mutacione do të thotë se ka më shumë shanse që virusi të bëhet më infektiv, rezistent ndaj imunitetit ose vdekjeprurës.
Dhe siç tregoi përhapja e shpejtë e Delta, një variant i ri i rrezikshëm nuk ka gjasa të qëndrojë në një vend për shumë kohë.
Rreziqet shtrihen përtej shëndetit publik. Shkatërrimi ekonomik që rezulton nga një variant i ri mund të godasë vendet e pasura pothuajse aq fort sa ato në botën në zhvillim. Një studim akademik vlerësoi triliona dollarë humbje ekonomike për vendet e pasura kur banorët e vendeve më të varfra mbeten kryesisht të pavaksinuar.
Ditët e fundit, vazhda e kufizimeve të udhëtimeve si pasojë e Omicron,ka shkaktuar pakënaqësi në mesin e afrikanëve, të cilët besojnë se kontinenti po mban sërish barrën e politikave të panikut të vendeve perëndimore që kanë dështuar në ofrimin e vaksinave dhe burimet e nevojshme për t’i administruar ato.
Të martën, Tedros Adhanom Ghebreyesus, kreu i O.B.SH., i përshkroi ndalimet e udhëtimit si të padrejta dhe joproduktive. “Unë e kuptoj mirë shqetësimin e të gjitha vendeve për të mbrojtur qytetarët e tyre kundër një varianti që ne ende nuk e kuptojmë plotësisht,” tha ai.
“Por unë jam po aq i shqetësuar që disa shtete anëtare po prezantojnë masa të ashpra, të përgjithshme që nuk janë të bazuara në prova apo efektive në vetvete dhe që vetëm sa do të përkeqësojnë pabarazitë.”
NYT / Tirananews.al