Rikthehet edhe një herë rasti i rëndë, që bëri bujë në mediat e vendit. Ish kryeministri Sali Berisha, përmes një postimi në Facebook, kujton ngjarjen e bërë publike më 1 qershor, ku në videon e publikuar dukej një adoleshent i rrethuar nga një grup djemsh që e godasin njëri pas tjetrit në fytyrë dhe në trup dhe e detyrojnë të thotë fjalë të turpshme, denigruese.
Sipas tij, me mosveprimin e saj, Policia e Shtetit po nxit dhunën.
Ja çfarë do të deklaronte policia pas publikimit të rastit në të gjitha mediat e vendit:
Njoftimi i policisë:
Në lidhje me videon e publikuar në emisionin “Stop”, ku pretendohet se Policia e Shtetit nuk ka vepruar kundrejt dhunës së ushtruar ndaj të riut, sqarojmë se:
Në datë 08.04.2019, Komisariati Nr. 2, Tiranë nisi procedimin penal ndaj 3 shtetasve të mitur:
– E.A.,16 vjeç, banues në Tiranë;
– K.M., 16 vjeç banues në Tiranë;
– K.H.,15 vjeç banues në Tiranë.
Ata dyshohet se kanë dhunuar shtetasin J.M.,16 vjeç banues në Tiranë.
Nën drejtimin e Prokurorisë, Policia ka kryer të gjitha veprimet hetimore dhe ka proceduar penalisht 3 shtetasit në gjendje të lirë për shkak të moshës së mitur.
Materialet hetimore në ngarkim të shtatasve i kanë kaluar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Tiranë për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje, në bashkëpunim”.
