Kreu i shtetit Ilir Meta bën të ditur se pas takimit me pedagogë dhe drejtues shkencore ka një sërë kërkesash për qeverinë. Si fillim duhet azhornuar harta e re Fizike e Riskut për Shqipërinë, zbatimin e detyrueshëm të eurokodeve, legjislacion të planifikimit urban me elemente të rinj siguriëe dhe rishikim të buxhetit 2020 për pasojat e rënda të tërmetit.
POSTIMI I METES
Pas takimit me pedagogët dhe drejtuesit shkencorë, lidhur me situatën e krijuar pas tërmetit, i kam kërkuar sot Qeverisë:
- Fillimin e punës sa më parë, për azhornimin dhe kompletimin e një Harte të re Fizike të Riskut për Shqipërinë në të cilën do të përfshihen dhe saktësohen zonat me rrezik sizmik, si dhe të gjitha territoret e kërcënuara nga erozionet, përmbytjet, rrëshqitjet, zjarrjet, etj;
- Zbatimin e detyrueshëm në të gjithë territorin e vendit të sistemit të eurokodeve në ndërtimet civile dhe objektet e banimit, pa asnjë përjashtim;
- Plotësimin e legjislacionit të planifikimit urban me elementë të rinj sigurie, sipas procedurave bashkëkohore, në projektimin dhe ndërtimin e objekteve të ndërtimit;
- Në kuadër të rishikimit të Buxhetit 2020, për përballimin e pasojave tepër të rënda, duhet të planifikohet edhe mbështetja e domosdoshme financiare për institucionet përkatëse të kërkimit shkencor.
