Pas debutimit të Lionel Messi, është radha e Cristiano Ronaldo dhe Portugalisë të hapin rrugëtimin e tyre në Kupën e Botës 2026, me ndeshjen e parë në Grupin K.
Skuadra luzitane do të përballet me Republikën Demokratike të Kongos në orën 19:00, në “Energy Stadium” të Houston-it. Portugezët synojnë një fillim fitues, duke konfirmuar njëkohësisht statusin e tyre si një nga ekipet e renditura mes favoritëve për trofeun.
Vëmendja kryesore, sigurisht, mbetet e fokusuar te Cristiano Ronaldo. Në moshën 41-vjeçare, sulmuesi portugez luan Botërorin e tij të gjashtë në karrierë me shumë gjasa edhe i fundit teksa vazhdon ndjekjen e ëndrrës së madhe: trofeu i vetëm që i mungon atij dhe kombëtares portugeze.
Pas paraqitjes spektakolare të Lionel Messi, CR7 ka edhe një motiv shtesë për t’iu përgjigjur nga distanca rivalit të tij të përjetshëm. Paralelisht, sulmuesi portugez vazhdon garën për disa rekorde të tjera, duke kërkuar të forcojë edhe më shumë primatet e tij si futbollisti me më shumë paraqitje dhe gola në kombëtare, ndërsa synon të arrijë sa më shpejt shifrën historike të 1000 golave në karrierë.
Nuk ka dyshim që Ronaldo do të jetë titullar në ndeshjen e parë të Botërorit, i shoqëruar nga gjithë emrat kryesorë të Portugalisë, si Bruno Fernandes, Vitinha, Nuno Mendes dhe Joao Neves.
Megjithatë, pavarësisht diferencës së dukshme në nivel me Kongon, portugezët duhet të jenë të kujdesshëm, pasi e kaluara e tyre në ndeshjet hapëse të Botërorëve nuk është aq inkurajuese. Portugalia mbetet një nga pesë vendet europiane që kanë qenë të pranishme në çdo edicion të Kupës së Botës nga viti 2002 e këtej, bashkë me Anglinë, Francën, Gjermaninë dhe Spanjën. Sidoqoftë, statistikat tregojnë se Ronaldo dhe bashkëlojtarët e tij kanë fituar vetëm një nga katër ndeshjet e tyre të fundit hapëse në Botëror, atë kundër Ganës në edicionin e vitit 2022.
