Nuk është vetëm Gjermania që kërkon me shumicë punonjës. Një tjetër vend që po përgatitet që të afrojë me qindra mijëra emigrantë është edhe Japonia. Shteti i zhvilluar aziatik ka një problem, numri i popullsisë është ulur e kjo ka bërë që të ketë një numër të madh vendesh pune bosh.
Japonia ka një zhvillim të madh teknologjik, e gjithashtu ka një numër të madh kompanish e fabrikash, por popullsia në plakje nuk ua plotëson kërkesat për punonjës. Kështu, qeveria ka vendosur që të përballet me problemin e rënies ekonomike dhe demografike. Qeveria e drejtuar nga Shinzo Abe ka përgatitur para disa ditësh një paketë masash që favorizojnë hyrjen dhe punësimin në Japoni nga vendet e Azisë Juglindore.
Oferta për 11 vendet
Paketa e masave (janë 126 gjithsej) synon një objektiv të qartë: Garantimin e emigracionit për të paktën 340 mijë punonjës në harkun e 5 viteve dhe integrimin e tyre në shoqëri. Ky vendim u bë i domosdoshëm nga mungesa e krahut të punës në disa sektorë si ndërtim, shëndetësi por edhe në teknologji.
Për këtë plan janë vënë në dispozicion 6 miliardë yen (50 milion euro) që do të shpenzohen për integrimin e të mbërriturve të rinj në rreth 100 komunitete, për procedurat, kurset e gjuhëve, ndihmën mjekësore e shkollore për fëmijët e emigrantëve etj. oferta u drejtohet 11 vendeve të zonës dhe parashikohen flukse të forta që mund të mbërrijnë nga Filipinet, Vietnami e Mianmari.