Ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur lobimet në SHBA kundër shpalljes “non grata”. Shoqata, shqiptaro-amerikanë dhe kongresmenë e senatorë janë vënë të gjithë në lëvizje për të kundërshtuar vendimin e DASH.
Sinjalet janë dhënë dje. Sekretari amerikan Antony Blinken ka raportuar në Komitetin e Marrëdhënieve me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve të Kongresit, ku është pyetur nga kongresmeni Lee Zeldin lidhur me vendimin ndaj Berishës.
Pyetja e parë e tij ishte: “Kohët e fundit ju keni njoftuar sanksione kundër ish-presidentit të Shqipërisë, Sali Berisha dhe për shumë nga ne, kjo erdhi si e papritur. Sa i takon historisë së tij politike me SHBA-të, ai ka qenë një mysafir dhe aleat i ish-presidentëve Bush, gjithashtu një kundërshtar agresiv i George Soros. Çfarë informacioni specifik mund të ndani me komitetin për të justifikuar këtë lëvizje dramatike”.
Sipas informacioneve qëndrimi tij ka ardhur pas lotimeve të forta nga njerëz pranë ish-kryeministrit. Por, Sekretari Blinken e bëri të qartë se ndaj Berishës u veprua njësoj si ndaj çdo zyrtari tjetër të dyshuar se është i përfshirë në afera korrupsioni.
“Ne vijojmë të shohim përtej kufijve, rreth atyre të cilët janë të përfshirë në aktivitete korruptive, ata që nënvlerësojnë të drejtat e njeriut apo që paraqesin sfidë për demokracinë apo parimet demokratike. Në rastin e tij ne patëm një çështje të cilën e zhvilluam nëpërmjet procesit normal, përfshirë avokatët tani. Do të isha i lumtur ta ndaja me ju nëse do të ishte e dobishme, se për çfarë flitet ekzaktësisht”, tha Blinken.
Zeldin pyeti edhe mbi pretendimet e Berishës se ka ndikuar Soros në këtë mes. Ai pyeti: “Për të qartësuar diçka që ka lidhje me mbrojtjen e zotit Berisha. Thjesht po përpiqem të kuptoj se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo, a keni komunikuar ju apo dikush në emrin tuaj me zotin Soros?
Thjesht po përpiqem të kuptoj se çfarë është e vërtetë dhe çfarë jo! Ndërsa Blinken u përgjigj: “Nuk mund të flas në emër të të gjithë Departamentit të Shtetit. Por unë jo”.
Debatet
Diskutimi u shoqërua edhe me pak debate. Lee Zeldin kërkoi më shumë informacione rreth kësaj çështje duke pyetur: “Kam bërë disa kërkime për të gjetur se në çfarë afere korruptive është përfshirë Sali Berisha dhe nuk arrita të gjeja asgjë. Ku duhet të shkojë një gazetar që kërkon të gjejë informacion”.
Blinken deklaroi se ai nuk mund të thotë asgjë rreth kësaj çështje, por u shpreh se kush është i interesuar le të paraqitet pranë DASH për informacione.
“E para, para se të kalojmë tek media, anëtarët të vijnë në Zyrën e Legjislacionit dhe ne do të sigurohemi që të merrni informacionin dhe e dyta, sa i takon medias, ejani në Zyrën e Zëdhënësit të Punëve të Jashtme dhe ne do të sigurohemi që në përputhje me detyrimet që kemi, ta ndajmë informacionin me ju. Jam i sigurt se çdo gazetar mund ta bëjë atë pyetje në deklaratat për media që ne mbajmë çdo ditë në DASH për të marrë çdo informacion që kemi në dispozicion për publikun”, tha Blinken.
