Vëllai i Adem Rusit, shqiptarit të dënuar që i dha fund jetës disa ditë më parë duke u vetëvarur brenda në furgonin e policisë në burgun e Greqisë ka folur sërish pas mbërritjes së trupit të pajetë të 39-vjeçarit. Në fjalën e tij, Shkëlqimi është shprehur se ka bërë kallëzimin penal në prokurori, ndërsa tani po pret nëse do i pranohet apo jo. I vëllai i viktimës thotë se do me çdo kush që t’i bëhet autopsia që të mësojë të vërtetën që fshihet pas shkakut të vdekjes së 39-vjeçarit.
Shkëlqim Rusi: Në prokurori ka vajtur kallëzimi penal që bëra, dhe do shkoj të pyes për të marrë fletën nëse do pranojnë kallëzimin. Dua me çdo kusht që t’i bëhet autopsia, që të di shkakun e vdekjes e të fle rehat. I kam marrë të gjitha letrat, vetëm atë të prokurorisë pres. Përgjigje deri më tani kam ato që kanë nxjerrë grekët, por unë s’besoj asnjë gjë, këtu do dalë e vërteta.
Morën fillimisht nënën, pastaj më morën mua e më thanë që e kemi çuar në spital, për kontroll rutinë, natën nuk ka kontroll rutinë. Ka pirë klorinë më tha drejtori i burgut, tha u bë mirë, kur po e kthenim fatkeqësisht vari veten, në makinë të policisë, me gardianë brenda. Ata nuk të lenë as me lidhëse këpucësh, as me rrip, asgjë të ketë i burgosuri, plus ka qenë i prangosur dhe me 2-3 shoqërues.
Do kërkoj drejtësi deri në fund, sikur edhe kjo të jetë e vërtetë që të ketë varur veten, është neglizhencë e tyre. Pas vëllait tim mund ta kenë rradhën të tjerët, shteti tonë duhet të ngrejë struktura në ambasadat tona që të mbrojë të gjithë të burgosurit. Shpresën vetëm te autopsia e kam.
Më herët ai është shprehur se dyshon se ngjarja e ndodhur nuk është vetvrasje, por vrasje.
