Pas padisë në Gjykatën Administrative të një prej kandidatëve për hetues të BKH-së një tjetër padi regjistrohet për Byronë Kombëtare të Hetimit. Këtë herë bëhet fjalë për një kallëzim penal të Oficerëve të Policisë Gjyqësore të Krimeve të Rënda.
Burime për tirananews.al bëjnë të ditur se ata kanë kallëzuar penalisht për shpërdorim detyre tre anëtarët e Komisionit të Përzgjedhjes së Kandidatëve për Byronë Kombëtare të Hetimit, prokurorët Vladimir Mara, Dritan Prençi dhe Enkelejda Millonai.
Nga të dhënat mësohet se shumica e të rrëzuarve në testet fizike ishin oficerët e policive gjyqësore. Referuar listës së fituesve, mësohet se asnjë nga OPGJ-të e SPAK-ut nuk arriti të kalojë në raundin tjetër.
Lexo edhe- ANALIZË / Do hetojnë zyrtarët e korruptuar dhe krimin e organizuar, BKH me “muskuj”, por pa “tru”
Në këtë mënyrë OPGJ-të e Krimeve të Rënda “hidhen në rrugë”, teksa është detyrë e Prokurorisë së Përgjithshme që t’i sistemonte në prokuroritë e rretheve.
Të njëjtat burime bëjnë të ditur për tirananews.al se sot atyre u është dhënë urdhër të lirojnë zyrat, pasi do të nisë nga puna Byroja Kombëtare e Hetimit.
