Thirrjet e vazhdueshme të ambasadave të huaja në Tiranë dhe paralajmërimi i Zv/ndihmës Sekretarit të Shtetit për Evropën, Matthew Palmer, për listë të zezë për dhunuesit e 30 qershorit, duket se ka shtyrë Lëvizjen Socialiste për Integrim që të bëjë thirrje për qetësi.
Në një reagim të publikuar rreth një orë pas intervistës së Palmer në ‘Zërin e Amerikës’, LSI kërkon nga qytetarët që “të distancohen dhe të dënojnë aktet e dhunës kudo dhe prej kujdo që të manifestohen ato.” E njëjta thirrje u drejtohet edhe militantëve të LSI-së.
“Lëvizja Socialiste për Integrim u bën thirrje anëtarëve, simpatizantëve dhe veprimtarëve të saj në të gjithë Shqipërinë, që të mos bien pre e provokimeve të cilat do të vijnë duke u shtuar, pasi makineria kriminale e pushtetit të votave të krimit, e përfshirë prej panikut e frikës së ndëshkimit të afërm, do të përpiqet me çdo mjet dhe me çdo mënyre të krijojë kaos, konfuzion dhe konflikt, për të përligjur përpjekjen kriminale të Edi Ramës për të rrëzuar Republikën dhe për të marrë peng shtetin”, thuhet në reagim.
Kjo forcë politike, e drejtuar nga Monika Kryemadhi, akuzon kryeministrin Edi Rama se “po provokon një situatë tensioni politik, konflikti social dhe përplasjesh në mes të institucioneve, çka fatalisht mund të çojë në përshkallëzim të akteve të dhunës dhe cënim të sigurisë së jetës së qytetarëve.”