Atë që nuk e bëri dot me Shqipërinë, Gjibraltarin dhe Ishujt Asuncion, Londra e ka realizuar me shtetin afrikan të Ruandës, për ngritjen e qendrave të shqyrtimit të kërkesave për azil për ata që kalojnë ilegalisht kufirin detar mes kontinentit evropian drejt Britanisë. Rreth 10 mijë kilometra larg drejt Afrikës, do të transferohen me avion të gjithë ata që do kapen dhe do të kërkojnë azil, dhe kryesisht meshkujt me një kosto financiare që shkon në 1.4 miliardë sterlina. Sipas kryeministrit britanik Boris Johnson, qëllimi është lufta kundër trafikantëve të qenieve njerëzore që e kanë shndërruar kanalin mes Anglisë dhe Francës në një “varrezë ujore”.
Kundërshtarët e projektit e cilësojnë këtë marrëveshje një “ vendim mizor dhe të keq”, që jo vetëm nuk do e zgjidhë problemin, por sjell më shumë kaos dhe vuajtje.
Britania mbetet një magnet i fuqishëm për emigrantët nga gjithë bota dhe këto ditë sipas kryeministrit Johnson kalimet e paligjshme detare pritet të shkojnë në 1000 veta çdo ditë. Ka një numër të madh shqiptaresh që hyjnë ilegalisht në forma të ndryshme në Britani, kryesisht fëmijë të pashoqëruar, gra dhe vajza.
Sipas mediave, nga Shqipëria kanë kaluar La Manshin me gomone gjatë 2021, 757 veta dhe vendi ynë vjen pas Iranit, Irakut, Eritreas, Siriëe, Sudanit, Afganistanit dhe Vietnamit për nga numri i atyre që mbërrijnë në Britani ilegalisht përmes rrugëve detare. Pas Brex-it, Britania nuk i kthen dot me azilkërkuesit në vendet e BE-se, si vende të sigurta përpara Britanisë, në bazë të konventës së Dublinit.
