Edhe pse pushtimi i Ukrainës vijon duke shkaktuar çdo ditë e më shumë viktima, dhimbje dhe shkatërrim, presidenti rus Vladimir Putin vazhdon të rritë figurën e tij në skenën ndërkombëtare në një nivel më të lartë të se ai që korrespondon me pushtetin e tij të vërtetë ekonomik dhe ushtarak.
Në fakt, ofensiva e tij ushtarake në Ukrainë ka përforcuar popullaritetin e tij dhe kjo luftë që u nis me urdhër të tij, siç cilësohet nga Moska, perceptohet nga rusët si një domosdoshmëri për mbrojtjen e vendit dhe nga rrethimi i NATO-s. Gjithashtu, parathënia e gjatë e luftës është karakterizuar nga kërkesat e garancisë nga ana e Moskës për kufizimin e sferës së ndikimit të NATO-s të paktën në Europën lindore.
Sondazhet ruse tregojnë një rritje të ndjeshme të popullaritetit të Putin në atdhe. Analisti rus, Aleksei Levinson shprehet se klasat drejtuese në Rusi dhe madje, edhe vetë Putin kanë nevojë për këtë mbështetje dhe do të bëjnë gjithçka për ta pasur, si në fushën e betejës ashtu dhe në ekranin e televizionit. Janë të shumtë ata që besojnë se Putin ka nisur operacionin ushtarak për arsye të brendshme. Sipas sondazheve që nga fillimi i luftës popullariteti i tij është rritur nga 63 në 83%.
Megjithëse Rusia konsiderohet në Perëndim si një vend totalisht i privuar nga liria e medias, jo të gjithë rusët janë krenar për punën e presidentit të tyre dhe është e lehtë të flasësh për këtë në rrugët e Moskës dhe Shën Petërburg. Ka banorë që thonë se e urrejnë Putin. Gjithsesi frika për të shprehur mendimin e tyre ekziston tek shumë qytetarë atje.
