Kreu i Departamentit të Bujqësisë i grupit të Berishës në PD, Gjok Vuksani e cilësoi sot alarmante situatën e përdorimit të pesticideve në prodhimet bujqësore.
“Bashkimi Evropian në të gjitha direktivat e tij përcakton domosdoshmërinë e reduktimit të rreziqeve të përdorimit të pesticideve në shëndetin e njeriut dhe mjedis. Këto direktiva duhet te zbatohen edhe nga vendi ynë, por qeveria është vite drite larg standardeve qe mbrojnë jetën e qytetarëve”, tha ai. Duke iu referuar informacionit zyrtar të AKU-së, Vuksani tha se, gjatë vitit 2022 janë kryer 1958 analiza për produktet ushqimore me origjine shtazore dhe 471 analiza për frutat dhe perimet.
“Rrezikshmëria e mbetjeve të pesticideve te perimet dhe frutat rritet për faktin se ato konsumohen të freskëta dhe me sasi të mëdha. Gjendja alarmante ka ardhur si rezultat i paaftësisë së Ministrisë së Bujqësisë, duke planifikuar marrjen e mostrave për qershinë në muajin mars/prill kur nuk ka prodhim apo duke mos planifikuar analiza për karotat gjatë muajve janar, shkurt, mars kur është piku i prodhimit. Gjithashtu perime të tilla si qepa, prasi, lulelakra, fasulja, brokoli, bizelja etj nuk janë përfshirë fare në planin kombëtar të monitorimit, megjithëse janë produkte bazë të konsumit të përditshëm”, tha ai.