Bashkimi Evropian i hapi rrugë idesë për dërgimin e azilkërkuesve në shtete të treta të sigurta jo anëtare siç po vepron Italia me Shqipërinë.
Eurodeputetët miratuan paktin e ri për migracionin ku refuzuan modelin britanik që synon zhvendosjen e emigrantëve të parregullt në Ruanda si vendi pritës i përhershëm i tyre. Kjo ide e britanikëve bie ndesh me Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Vetëm Austria dhe Danimarka kanë shprehur interes për të ndjekur rrugën e Britanisë së Madhe. Marrëveshja e Romës me Tiranën përshkruan transferimet e emigrantëve të shpëtuar në det në qendrat e ngritura në Shqipëri që do të financohen dhe drejtohen nga Italia, e cila do të mbajë përgjegjësinë për vlerësimin e kërkesave për azil.
Von der Leyen e ka vlerësuar këtë model si një shembull të të menduarit jashtë BE-së. Ajo argumentoi se më pak emigrantë të parregullt do të përpiqeshin të arrinin në Bashkimin Evropian nëse është e qartë se brenda 48 orëve ata do të dërgoheshin në një vend të sigurt jashtë BE-së.
