Pas akuzave në seancën e sotme parlamentare ku opozita akuzoi policinë e shtetit se u tentua fshehja e përdhunimit të një 13-vjeccareje në Kavajë ka reaguar zyrtarisht edhe policia e Shtetit. Përmes një deklarate zyrtare, Policia thekson se ngjarja është regjistruar e plotë dhe është zbatuar me rigorozitet procedura. Sa i përket raportimit , Policia thekson se nuk ka bërë njoftim mbi rrethanat e detajet e ngjarjes, por në raportin ditor është pasqyruar pa shumë detaje me qëllim mbrojtjen e të dhënave personale të të miturit duke vlerësuar me përparësi interesin më të lartë të të miturit.
“Me kërkesën e të dëmtuarës dhe të ëmës dhe duke marrë në konsideratë interesin më të lartë të fëmijës, si dhe në zbatim të dispozitave të Ligjit Nr. 37/2017 “Kodi i Drejtësisë Penale për të Mitur”, e konkretisht: Neni 10 “Parimi i interesit më të lartë të fëmijës” -“Organet kompetente në çdo vendim dhe veprimtari të ndërmarrë në zbatim të këtij Kodi, duhet të vlerësojnë me përparësi interesin më të lartë të të miturit”. Nenit 21 “Mbrojtja e jetës private të të miturit”, Paragrafëve 2 dhe 4, ku përcaktohet se: – Nuk publikohet asnjë informacion që mund të çojë në identifikimin e të miturit në konflikt me ligjin, të të miturit viktimë ose dëshmitar i një vepre penale. – Ndalohet identifikimi ose publikimi në çfarëdolloj forme i të dhënave personale të të miturit, me përjashtim të rasteve të parashikuara në legjislacionin për mbrojtjen e të dhënave personale. Policia e Shtetit, nuk ka bërë njoftim mbi rrethanat e detajet e ngjarjes, por në raportin ditor ku pasqyrohen ngjarjet e datës 02.02.2019, ka pasqyruar shumë shkurt pa të dhëna e detaje ekzekutimin e masave të sigurisë dhënë nga Gjykata. Policia e Shtetit shpreh keqardhje për keqpërdorimin e rastit duke synuar keqinformimin e opinionit, dhe për të fajësuar Policinë se fshehu ngjarjen, por në të vërtetë reagimi i Policisë ka qenë profesional dhe në kohë”, thotë policia në deklaratën e saj.
