Partizani do të luajë ditën e nesërme ndaj Kukësit në “Selman Stermasi” Në një intervistë për “Supersport”, trajneri Sormani u shpreh se skuadra nuk ka as një mangësi, por ka problem psikologjik. Gjithashtu italiani foli edhe për të ardhmen e tij që është në qendër të kritikave për shkak të rezultateve negative.
“Na kanë munguar rezultatet, kjo më duket e qartë, por nuk na ka munguar loja, megjithatë nuk mjafton, duhet bërë më shumë. Mendojmë që puna shpërblehet dhe kjo skuadër stërvitet me shumë dëshirë dhe lufton fort.
Nuk kemi treguar asnjë mangësi as në aspektin fizik, as në pjesën teknike. Në ndeshjen e fundit patëm raste, krijuam shumë dhe jam i bindur që ky ekip është i aftë të shprehet shumë mirë në fushë. Nuk i kemi vuajtur kundërshtarët, kemi një problem që është psikologjik, në atë aspekt nuk kemi ekuilibra”.
Kritikat? “Kur je trajner, je në qendër të kritikave. Kur nuk fiton, do të kritkohesh, kjo është puna ime. Nuk dua të humbas kohë, kur më pyesin për futboll jam i gatshëm të përgjigjem pa kërkuar justifikime. Përgjigjem ashtu si unë e lexoj lojën dhe jo sepse ndihem i ofenduar nga kritikat”.
E ardhmja? “E përsëris, kjo është pjesë e punës. Sigurisht që mund të jetë në dyshim e ardhmja, por, e ritheksoj, është pjesë e punës, kur dikush vendos të bëhet trajner, atëherë e kupton dhe këtë aspekt të punës”.